Gjermani, Berlini drejt ndëshkimit të Merkelit. Kryebashkiaku: “AfD”, rilindje e nazizmit

18/09/2016 00:00

Berlinezët u janë drejtuar kutive të votimit që prej orës 8 të mëngjesit, për të zgjedhur anëtarët e Asamblesë së qytetit. Janë plot 2.5 milionë banorë të kryeqytetit gjerman që votojnë këtë të dielë.

Sondazhet tregojnë edhe njëherë një rritje të madhe të partisë së krahut të djathtë, “Alternativa për Gjermaninë”, e cila ka bërë fushatë të bazuar kryesisht mbi çështjen e emigracionit, me synimin për të përfituar nga një reagim popullor kundër Kancelares Angela Merkel, për shkak të politikës së saj të dyerve të hapura ndaj refugjatëve. Një politikë që solli vitin e kaluar në Gjermani mbi një milion refugjatë azilkërkues.

Sipas parashikimeve, socialdemokratët (SPD) e udhëhequr nga kryebashkiaku i Berlinit, Michael Muller, do të mbesin sërish si partia më e madhe në Asamblenë rajonale, me rreth 24 për qind të mbështetjes. Ka qenë pikërisht SPD-ja që ka qeverisur në kryeqytet përgjatë 5 viteve të kaluara, sigurisht në koalicion me kristiandemokratët e Merkelit (CDU), por kësaj radhe pritet që të nevojitet formimi i një koalicioni tripartiak, mes SPD-së, “Të gjelbërve” dhe partisë së majtë.

Lëkundja e pritshme e CDU-së pritet ta përfshijë partinë e Merkelit në një garë të ashpër për vendin e dytë me “Të gjelbrit”, teksa të dyja këto grupe pritet të sigurojnë rreth 18 për qind të votave. “AfD”-ja vërtitet aktualisht rreth 14 përqindëshit, një rezultat që do t’i lejonte partisë antiemigracion të futet në asamblenë e 10 rajonale, nga 16 të tilla që janë nëpër shtetet gjermane.

Kryebashkiaku i Berlinit, Muller paralajmëroi votuesit që të mos japin mbështetjen e tyre ndaj “AfD”-së gjatë kësaj të diele, pasi një mbështetje në përqindje dyshifrore ndaj ekstremistëve do të ndryshonte panoramën politike të kryeqytetit gjerman, e që do të konsiderohej anembanë botës si një rilindje e nazizmit.

Në Berlin janë hapur 1.800 qendra votimi, të cilat pritet të mbyllen në orën 18 të pasdites, ndërsa rezultatet e para të “exit poll”-eve priten menjëherë pas përfundimit të votimit.

Top Channel