Clinton tek Jimmy Fallon

17/09/2016 00:00

Pas shakasë me flokët e Donald Trump, Jimmy Fallon i është kthyer kandidates demokrate në zgjedhjet presidenciale të nëntorit dhe pneumonisë së shumëpërfolur të saj.

Mirëseardhjen të ftuarës së tij në emision, prezantuesi i “The Tonight Show” të rrjetit televiziv amerikan NBC, ia uroi me një maskë kirurgjikale në fytyrë.

Fallon nuk u mjaftua me kaq, por që të tregonte me shaka se i druhej infektimit, fërkoi duart me sterilizues. Pamjet e Clinton duke humbur ekulibrin në ceremoninë përkujtimore të 11 shtatorit në Nju Jork bënë xhiron e botës.

Stafi i saj u detyrua të bënte publike arsyen e të fiktit të ish-zonjës së parë dhe të sqaronte se ajo vuan nga një formë pneumonie bakteriale jongjitëse. Dhe Fallon, këtë detaj nuk e la t’i shpëtonte. Bisedës në studio nuk i munguan megjithatë edhe tonet serioze.

“Mbrëmjen e kaluar isha në një emision ku më pyetën për ISIS-in dhe Iranin. Këto janë çështje të rëndësishme për të cilat vendi duhet të flasë. Republikanët më qortuan se dukesha shumë serioze aty, por unë nuk e di sesi mund të flasësh për Shtetin Islamik duke u zgërdhirë”, u shpreh Clinton.

Problemet shëndetësore të Clinton kanë qenë subjekt diskutimesh përgjatë gjithë javës së kaluar, kur disa kritikë nxituan ta vinin në pikepyetje aftësinë e saj për të drejtuar vendin.

Top Channel