Ngrohja klimatike, viti 2016 do të jetë më i nxehti në histori

16/09/2016 00:00

Pas një studimi për nivelin e ngrohjes globale, agjencia klimatike e Kombeve të Bashkuara doli në përfundimin se viti 2016 do të vijojë të thyejë rekordin si viti më i nxehtë në histori.

“Muaji gusht ka qenë muaji më i nxehtë i matur ndonjëherë në histori, ndër vite. Deri tani, ky vit ka thyer çdo rekord dhe, duke qenë se jemi vetëm në shtator, ne besojmë se ky i nxehtë do të vijojë me këto ritme”, tha Clare Nullis, përfaqësuese për mediat e “Organizatës Meteorologjike Botërore”, me seli në Gjenevë.

Ndërkohë, NASA ka deklaruar se temperatura mesatare globale në vitin 2016 është 1.3 gradë Celsius më shumë sesa në epokën paraindustriale të shekullit të XIX.

“Ne kemi përjetuar një periudhë ndryshimesh të mëdha, duke bërë që të kemi një normale të re. Përveç temperaturave rekord, ne po shohim përsëri nivele rekord të dioksidit të karbonit në atmosferë”, tha më tej Clare Nullis.

Ngrohja globale ka shkrirë gjithashtu një sipërfaqe të konsiderueshme akulli në Arktik, e cila sipas të dhënave të SHBA-ve e ka arritur minimumin e saj sezonal më 10 shtator.

“Planeti ynë po na dërgon sinjale se është në ankth, e po na bën thirrje për të vepruar. Kemi nevojë të ulim emetimet e gazit në mënyrë dramatike dhe të shpejtë”, u shpreh Clare Nullis.

Javën e ardhshme, shefi i OKB-së Ban Ki-moon do të mbledhë të gjithë udhëheqësit që kanë marrë pjesë në marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike.

Top Channel