BE-në s’e shpëton një samit

16/09/2016 00:00

Situata e Europës është kritike dhe nuk mund të zgjidhet me një samit. Me këtë deklaratë të saj, kancelarja gjermane Angela Merkeli i uli disi pritshmëritë e larta nga takimi i vështirë i Bratisllaves, ku liderët e BE-së synojnë gjetjen e mundësive për të ecur përpara pas votës britanike të shkëputjes nga blloku europian.

“Çështja nuk është të pritet zgjidhja e të gjitha problemeve të Europës nga një samit i tillë. Ne jemi në një gjendje kritike, por duhet treguar me vepra se mund t’i përmirësojme gjërat në fushën e sigurisë, asaj të brendshme e të jashtme, në luftën kundër terrorizmit dhe në drejtim të bashkëpunimit për mbrojtjen. Shpresoj që Bratisllava të tregojë se ne duam të punojmë së bashku dhe se duam t’i zgjidhim problemet e Europës”, deklaroi kancelarja Merkel.
 
Që do të nevojitet punë për daljen nga kjo situatë, kjo u lexua mes rreshtash edhe në deklaratën e Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili u bëri thirrje krerëve të BE-se që të shohin problemet e bllokut në një mënyrë “sa më të kthjellët e të ndershme”.

Në samitin e Bratisllavës nuk është parashikuar të diskutohen negociatat e shkëputjes me Britaninë. Qëllimi i tij është të shohë drejt së ardhmes si një grup 27 anëtarësh. Si prioritete të axhendës së Bratisllavës renditen siguria dhe kapacitetet e mbrojtjes.

Pikërisht në këtë fushë pritet dhe konkretimi i idesë së një unioni me një shtab të përbashkët mbrojtjeje. Ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni e ka mbështetur më parë një strategji të përbashkët qe konsiderohej një lloj “Shengeni të mbrojtjes”. Përparësi do të ketë gjithashtu edhe e ardhmja sociale dhe ekonomike e Europës si edhe shkëmbimi kulturor në BE.

Top Channel