“Zhurmat e forta” shkaktojnë evakuimin e aeroportit të Los Angeles

29/08/2016 00:00

Policia e Los Angelesit nisi të hetonte mbi disa raporte për të shtëna në aeroportin ndërkombëtar të tij, teksa zyrtarët mbyllën zonat e mbërritjeve dhe nisjeve të terminalit kryesor.

Përmes një mesazhi në “Twitter”, publiku u garantua se po merren të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e njerëzve të ndodhur atje dhe se, forcat e rendit kishin zhvilluar kontrolle në të gjithë aeroportin.

“Ruani qetësinë”, thuhej në postim. Pasagjerët u këshilluan të verifikonin situatën e fluturimeve, por raportet për të shtëna me armë nuk gjetën konfirmim.

Skena kaosi u panë në aeroport mbrëmjen e së dielës, me njerëz që vraponin në panik e sipër dhe valixhe të braktisura. Qarkullimi në terminal u pezullua dhe asnjë avion nuk u lejua të ulej atje, por më pas operacionet rinisën.

Njësi të shumta policore u dërguan në aeroport pas raportimeve për një situtatë pasigurie dhe një agresor të mundshëm në të. Sipas autoriteteve aeroportuale, një person i veshur me kostumin e “Zorro”-s ishte vënë në pranga.

Një pasagjer tha për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se ishte përpjekur të zbriste nga një avion, por nuk ishte lejuar. Ndërkohë, aktorja Anne Dudek, e cila kishte qenë në aeroport momentin e ngjarjes, tha për “Los Angeles Times” se kishte parë një burrë që vraponte, e që u thoshte njerëzve se dikush po qëllonte me armë. Njerëzit kishin filluar të hidhnin çantat e të vraponin jashtë terminalit.

Ky është aeroporti i shtatë më i frekuentuar në botë.

Top Channel