Rrëfimi i Marianës, murgeshës shqiptare: Më shpëtoi një engjëll

25/08/2016 00:00

Fotografia e saj u bë një nga simbolet e tragjedisë së tërmetit në Itali. Fytyra e saj e gjakosur, ku në duar mban telefonin celular ndërsa në krah ka një trup të pajetë, përcolli pikëllim në mbarë botën. Motër Mariana, shqiptare, rrëfen se një engjëll i shpëtoi jetën e saj në manastirin e Amatrice-s që ishte edhe epiqendra e tërmetit shkatërrues.

“Shpëtimtari im ishte një djalë që qëndronte në manastir dhe ndihmonte një çift të moshuar. As emrin nuk i dija, s’kisha shkëmbyer kurrë fjalë me të para shokut të orës 03:36. Në fillim nuk po e kuptoja ç’po ndodhte, pastaj pash shtratin tim plot me gjak dhe kuptova se një copëz muri më kishte rënë në kokë. Teksa tërmeti vazhdonte, tentova të dilja në ballkon për të kërkuar ndihmë, por dera ishte e mbyllur dhe u futa poshtë krevatit”, thotë motër Mariana.

Por papritmas në dhomë hyri shpëtimtari.

“Djali erdhi dhe më mori në krahë e më nxori jashtë. Kur po dilnim dëgjuam zërat e dëshpëruar të motër Marise dhe Motrës Josefine. Ato thërrisnin se nuk merrnin dot frymë. Djaloshi rrezikoi jetën e tij, u kthye për t’u dhënë dorë atyre. Motrat tani janë të shtruara në spital”, shprehet motër Mariana.

Por, fatkeqësisht motër Mariana thotë se tre murgesha të tjera të manastirit, me shumë gjasë kanë humbur jetën, pasi ishte pjesa e parë e manastirit që u rrënua plotësisht. Pas mbrëmjes tragjike, motër Mariana mori telefonin në duar për të njoftuar të afërmit e saj dhe të gjithë që u luten për të, se fatmirësisht ishte gjallë!

Top Channel