Shteti krediton privatët

13/08/2016 00:00

Veç investimeve publike, Fondi i Zhvillimit të Rajoneve do të financojë edhe bizneset private. Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të posaçëm, i cili i hap rrugë krijimit të ndërmarrjeve të përbashkëta publike-private si dhe financon bizneset e vogla dhe të mesme. Skema është pjesë e programit për mbështetjen e ekonomisë.

Deri më sot, Fondi i Zhvillimit të Rajoneve ka financuar vetëm projektet publike si shkolla, rrugë, apo spitale të njësive vendore ose institucioneve të tjera shtetërore. Me vendimin e fundit, qeveria do të shpërndajë një pjesë të tij për të financuar aktivitete tregtare, me pjesëmarrjen edhe të privatëve.
    
Programi do të ketë dy zëra kryesorë: i pari është financimi i shoqërive të përbashkëta që do të themelohen mes njësive vendore dhe atyre private. Këto shoqëri do të konkurrojnë për të marrë financime nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve përmes projekteve dhe sipas vendimit mund të përfitojnë deri në 50 milionë lekë nga buxheti.
 
Zëri i dytë i programit është ai i financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Sipas vendimit, për këto ndërmarrje qeveria do të financojë deri në 25 milionë lekë.
 
Objektivi i programit sipas Ministrisë së Ekonomisë është të shoqërojë investimet publike që qeveria bën në rajonet e ndryshme me masa nxitëse për të gjallëruar aktivitetin ekonomik në këto rajone.
 
Sipas të dhënave zyrtare, këtë vit buxheti i Fondit të Rajoneve është rreth 100 milionë dollarë. Projekti i financimit të privatëve pritet të fillojë vitin e ardhshëm, ndërkohë që ende nuk është pëcraktuar se ç’ pjesë e fondit do të shkojë për këtë zë.

Top Channel