Ahmetaj: Rritja e kreditimit mbështet rritjen ekonomike

02/08/2016 00:00

Rritjen e optimizmit të tregut shqiptar dhe serinë më të gjatë pozitive të kredidhënies për ekonominë, mbrëmjen e kësaj të marte e ka komentuar edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, përmes një postimi në “Facebook”.

“Ekonomia shqiptare vijon qëndrueshëm rritjen dhe konsolidimin, duke treguar çdo ditë e më shumë sinjale pozitive. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë konfirmojnë rritjen për të pestin muaj rresht të kredisë për ekonominë. Pas përmirësimit të treguar nga treguesit e konsumit, tregtisë me pakicë, si dhe përmirësimit të Treguesit të Ndjesisë Ekonomike, që mat besimin e biznesit dhe konsumatorit në ekonomi, ky është një tjetër tregues i rëndësishëm që mbështet rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe arritjen e pritshmërive tona për 3.4% rritje reale për vitin 2016”, shkruan ndër të tjera ministri Ahmetaj.

“Programi i mbështetjes së Agrobiznesit në Shqipëri, i saponisur me BERZH-in dhe bankat e nivelit të dytë, është një tjetër faktor i rëndësishëm që do të vazhdojë ndikimin pozitiv ndaj kreditimit për njërin nga sektorët kyçë të ekonomisë”, mbyll deklaratën e tij Ahmetaj.

Top Channel