Armeni, grupi i armatosur mban peng prej 2 javësh rajonin e policisë

30/07/2016 00:00

Kryeqyteti armen, Jerevan është përfshirë nga kaosi. Policia u përlesh me mbështetësit e një grupi të armatosur, që ka marrë peng disa persona brenda një rajoni policor.

Dhjetra protestues u plagosën, gjithashtu 3 nga agresorët. Grupi mësyu godinën gati 2 javë më parë duke kërkuar lirimin e të burgosurve politikë përfshire liderin e opozitës, Xhirair Sefilian.

Ky i fundit ka kritikuar ashpër mënyrën sesi presidenti Serzh Sarkisian  menaxhoi konfliktin në Nagorno-Karabakh. Efektivët përdorën  shkopinj gome dhe granata trullosëse për shpërndarjen e protestuesve që thërrisnin “Armenia e lirë dhe e pavarur” apo “Serzh largohu!”.

Mediat vendase flasin për të paktën 60 të plagosur gjatë trazirave, me 40 vetë që vazhdojnë të kurohen në spital. Një radio njoftoi se disa prej gazetarëve të saj ishin mes të plagosurve. Mbi 100 vetë janë ndaluar nga policia.

Grupi i armatosur pushtoi rajonin policor në 17 korrik duke vrarë një polic e duke marrë pengje. Disa prej tyre u liruan. Pengmarrësit publikuan një video ku kërkonin lirimin e liderit të opozitës, Sefilian bashkë me disa të tjerë, duke u bërë thirrje mbështetësve të dilnin në rrugë.

Grupi mësohet të ketë kërcënuar se do të hakmerret në rast se do të sulmohet dhe se nuk ka ndërmend të dorëzohet.

Top Channel