Vdekja e priftit në Francë, Valls: Ky është një dështim i drejtësisë

29/07/2016 00:00

Kryeministri francez Manuel Valls ka bërë të ditur dështimin e sistemit të drejtësisë në vend, sa i përket ngjarjes ku mbeti i vdekur një prift brenda një kishe në Normandi gjatë së martës.

Në një intervistë për një gazetë vendase, ai kritikoi faktin që njëri prej dy agresorëve ishte lëshuar dhe mbahej ende nën mbikëqyrje elektronike në pritje të gjykimit mbi akuza terrori. Megjithatë, ai tha se lirimi i tij është vendosur nga gjykatës të pavarur dhe jo nga qeveria e tij.

Valls është përballur me kritika të shumta pas sulmit në Rouen të Normandisë, por edhe për vrasjen e 84 personave nga një tjetër xhihadist në Nicë të Francës.

Adel Kermiche, njëri prej dy adoleshentëve që mësynë kishën në Saint-Etienne-du-Rouvray gjatë së martës, kishte qenë i arrestuar pasi ishte kapur në përpjekje e sipër për të shkuar në Siri gjatë vitit të kaluar. Por, ai ishte liruar dhe autoritetet e drejtësisë i kishin vendosur atij një byzylyk elektronik më herët gjatë këtij viti, pavarësisht thirrjeve të prokurorëve për ta mbajtur atë ende në paraburgim.

Në intervistën për “Le Monde”, të publikuar këtë të premte, Valls e quajti lirimin e tij “një dështim” që duhet pranuar. Ai shtoi se “kjo nuk nënkupton që qeveria ime duhet fajësuar, sepse vendimi është marrë nga gjykatës të pavarur”.

Kermiche dhe agresori tjetër, Abdel Malik Petitjean, u qëlluan për vdekje nga policia jashtë kishës, pasi ata i kishin prerë fytin At Jacques Hamel, 86 vjeç, si dhe kishin marrë pengje gjatë një meshe.

Top Channel