Papa, lutje në Auschwitz. Thirrje të rinjve polakë: Mikpritini refugjatët

29/07/2016 00:00

Papa Françesk mbajti një lutje të heshtur në ish-kampin nazist të vdekjes, “Auschwitz”. Kreu i Kishës Katolike eci i vetëm përreth atij që gjatë Luftës së Dytë Botërore do të kthehej në një vend burgosjeje e shfarosjeje të 1.1 milionë vetëve, shumica hebrenj.

Ati i Shenjtë u takua me të mbijetuar të shtyrë në moshë të kampit famëkeq, të cilët i puthi në faqe e u drejtoi fjalë të ëmbla. E premtja është dita e tretë e vizitës së Françeskut në Poloni, e cila shënon 1.050 vite që prej kohës kur ky vend pranoi krishtërimin.

Ai u bë i treti papë që kalon në portën kryesore të “Auschwitz”-it, e njohur për mbishkrimin “Arbeit Macht Frei”, apo “Puna të bën të lirë”. Por ndryshe nga paraardhësit e vet, ai gjerman dhe ai polak, të cilët kanë përshkuar të njëjtën rrugë, Papa argjentinas nuk foli për tmerret që kanë parë muret e atij kampi.

Më herët, pas apelit të drejtuar udhëheqësve të vendit, Françesku u kërkoi edhe të rinjve polakë të tregojnë dhembshuri për të ardhurit. “Një zemër e mëshirshme, – u tha ai mijëra vetëve të mbledhur për ceremonitë liturgjike në Krakov, – hapet për t’i uruar mirëseardhjen refugjatëve dhe emigrantëve, e mund të kthehet në shtëpi për njerëzit e detyruar të emigrojnë”.

Të enjten, Ati i Shenjtë e kremtoi meshën në vendin më të shenjtë katolik të Polonise, Manastirin Jasna Gora, ku pa dhe ikonën e njohur si “Madona e zezë”, një relike e adhuruar prej 6 shekujsh.

Top Channel