Myslimanët, homazhe viktimave të Mynihut. Kryebashkiaku: Ta kapërcejmë dhimbjen

28/07/2016 00:00

Rreth 1.000 myslimanë që jetojnë në Gjermani u kanë bërë homazhet e tyre 9 personave të vrarë në qendrën tregtare “Olympia” të Mynihut, nga plumbat e një të riu iraniano-gjerman, të lindur e të rritur në atë vend.

Shtatë prej viktimave të tij ishin adoleshentë. Ata u joshën drejt vdekjes nga një profil i vjedhur “Facebook”-u në 5-vjetorin e vrasjes së 77 personave nga Anders Breivik në Norvegji.

“Janë të gjithë të tronditur, sepse asgjë nuk e justifikon një veprim të tillë, as besimi e asgjë tjetër. Këta janë thjesht njerëz të orientuar keq. Janë krejtësisht jashtë realitetit”, tha Bic Old, banor i Mynihut.

Qendra tregtare e kthyer në skenën e fatkeqësisë është hapur sërish për publikun, por kujtimi i të shtënave mbetet i freskët, falë një memoriali të vendosur përpara saj.

“Mendoj se duhet t’i rikthehemi normalitetit. Ngjarje të tilla janë tragjike vërtet, por në një moment do të duhet ta kapërcejmë trishtimin e t’i rikthehemi jetës së përditshme”, tha Dieter Reiter, kryebashkiak i Mynihut.

Gjesti ekstrem i Ali Sonboly, prej të cilit mbetën të plagosur 27 vetë, disa nga të cilët rëndë, ishte akti i tretë i dhunës kundër civilëve në Europën Perëndimore gjatë këtyre kohëve të fundit dhe i dyti në jug të Gjermanisë brenda vetëm 8 ditëve.

Top Channel