Al Nusra shkëputet nga Al Kaeda, bëhet “Fronti Pushtues i Sirisë”

28/07/2016 00:00

Dega më e fuqishme e Al Kaedas që operonte në Siri, njoftoi shkëputjen nga organizata terroriste mëmë dhe vijimin e aktivitetit terrorist më vete.

Jabhat al-Nusra, njohur edhe si “Al-Nusra Front” njoftoi përmes udhëheqësit të saj shkëputjen nga Al Kaeda dhe marrjen e një emri të ri, që do të jetë Jabhat Fath al-Sham (shqip, Fronti Pushtues i Sirisë).

Sipas analistëve, lëvizja e këtij grupi, më i fuqishmi pas ISIS-it, mund të lexohet si përpjekje për t’u afruar me grupe të tjera ekstremiste, pse jo edhe me vetë Shtetin Islamik.

Ndarja duket se ka marrë bekimin e të dyja palëve, si të drejtuesve të al-Nusras ashtu edhe të Al Kaedas dhe në mesazhin që njoftonte këtë, kreu i Frontit “falenderon komandantët e Al Kaedas që mirëkuptuan nevojën për t’u shkëputur”.

Analistët e lidhin këtë lëvizje të organizatës terroriste si përshtatje ndaj rrethanave të reja që janë krijuar në Siri pas ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.  

Top Channel