
Një anije kineze mallrash goditi një nga muret e Kanalit të zgjeruar së fundmi të Panamasë, ndërsa rriten shqetësimi se ai nuk ka hapësirë për manovra dhe mund të jetë i rrezikshëm.
Ky është incidenti i tretë i këtij lloji qëkur përfundoi zgjerimi multimilioner i Kanalit të Panamasë një muaj më parë. Sipas ekspertëve, portat e reja janë të vogla dhe nuk garantojnë sigurinë tani që në kanal lejohet të kalojnë anije tre herë më të mëdha se më parë.
Autoritetet e Kanalit të Panamasë kanë nisur hetimet për incidentin e radhës, ndërsa ende nuk kanë dalë në përfundime për dy të mëparshmet. Sipas ekspertëve, projektimi i ri i kanalit duket se nuk është llogaritur mirë, por pas milionave të shpenzuara për të, askush nuk po nxiton të drejtojë gishtin.
Ndryshimi themelor pas zgjerimit të kanalit është se tani përdoren rimorkiatorë brenda tij që të tërheqin anijet e mëdha që kalojnë përmes. Më parë, përdoreshin lokomotiva në anët e kanalit që e mbanin anijen të sigurt në mes.
Sipas ekspertëve, zgjerimi i kanalit nuk është i mjaftueshëm për përdorimin e rimorkiatorëve që nuk kanë hapësirë të mjaftueshme manovrimi.
Top Channel