Francë, udhëheqësit fetarë kërkojnë më shumë siguri në vendet e kultit

27/07/2016 00:00

Udhëheqësit fetarë francezë u mblodhën bashkë për të kërkuar më shumë siguri në vendet e kultit, pas vrasjes së priftit 84-vjeçar Jacques Hamel, në famullinë e tij.

Përfaqësues të besimit të krishterë, mysliman, hebraik e budist i bënë këto komente pas një takimi në Elize me Presidentin Francois Hollande, ndërsa u përpoqën të tregonin në të njëjtën kohë unitet në këtë moment të vështirë, një gjest simbolik vendimtar ky – sipas tyre, – në luftën kundër ISIS-it.

“Do të doja të përfitoja nga ky rast për të përcjellë në emër të të gjithë myslimanëve të Francës keqardhjen e thellë dhe tronditjen psikologjike që përjetojnë ata të gjithë përballë këtij sakrilegji blasfemues, kundërshtues të atyre çfarë na mëson besimi ynë, e që tregohet edhe në Kuran. Sulmi në një vend fetar, dhunimi i një qënieje njerëzore, vrasja e një prifti të respektuar e të mbrojtur në fenë tonë, është një veprim që nuk ka të bëjë me Islamin, e të cilin myslimanët francezë e dënojnë me forcë”, tha Dalil Boubakeur, Xhamia e Madhe e Parisit.

Humbjen e priftit të shumërespektuar e vajtoi edhe imami i zonës së Rouenit, Mohammed Karabila, i cili e përshkroi si një “njeri që ia kushtoi të gjithë jetën e tij të tjerëve”.

Njëri prej dy personave, të dyshuar si vrasësit e priftit në kishën e Rouenit të martën, ishte nën monitorimin e policisë, çfarë shpjegon arsyen përse mbante në dorë një byzylyk elektronik. 19-vjeçari Adel Kermiche është arrestuar dy herë vitin që shkoi, ndërsa përpiqej të shkonte në Siri. Së bashku me një tjetër person, ai sulmoi kishën në Saint-Etienne-du-Rouvray në kohën e meshës së mëngjesit, e i prenë fytin 84-vjeçarit përpara se të vriteshin nga policia.

Top Channel