Falet Spanja e Portugalia, BE i penalizoi për mosuljen e deficitit buxhetor

27/07/2016 00:00

Komisioni Europian propozoi faljen e gjobave të vendosura Spanjës dhe Portugalisë për mosuljen e deficitit brenda limiteve të BE-së.

Reduktimet e kërkuara sërish do të bëhen, vetëm se Madridit do t’i lihen për këtë arsye dy vjet kohë në dispozicion, e Lisbonës, edhe një vit shtesë. Vendimi u mor nga kolegji i komisionerëve pasi si Spanja, ashtu dhe Portugalia iu drejtuan krahut ekzekutiv të bllokut me letra ku përcillej lutja për lëshime.

“E kemi pare se të dyja vendet në fjale i zvogëluan përpjekjet e tyre buxhetore, e për rrjedhojë, nuk i përmbushën dot objektivat e vëna. Por duke marrë parasysh përpjekjet e bëra nga Spanja dhe Portugalia në të shkuarën, ambientin aktual mjaft sfidues dhe argumentet e parashtruara në kërkesat e fundit, kolegji vendosi të propozojë fshirjen e gjobave për të dy këto vende”, shprehet Valdis Dombrovskis, zëvendëspresident i KE. 

Sipas rregullave të bllokut, vendet anëtare nuk mund të kenë një deficit buxhetor më të lartë se 3% të prodhimit të brendshëm bruto, një masë ligjore mbrojtëse kjo, e cila siguron që huamarrja e tepruar e qeverive të mos minojë monedhën e përbashkët.

Nëse pragu i 3 përqindëshit kalohet, Komisioni dhe ministrat e BE-se vendosin një afat për uljen e tij, dhe kur nuk ndërmerren hapat e nevojshëm për respektimin e këtij afati, atëherë Ekzekutivi i vendit në fjalë, gjobitet.

Portugalia duhet ta kishte ulur që vitin e kaluar deficitin e saj që sot rezulton në nivelin 4,4%. Spanja duhet ta reduktonte këtë vit, por vazhdon ta ketë ende mbi 3% sipas të dhënave të vetë Komisionit Europian.

Top Channel