Iraku tronditet nga një tjetër shpërthim, 17 viktima në Khalis

25/07/2016 00:00

Vetëm pak pas sulmit të së dielës në Bagdad, ku u vranë 20 vetë, 17 persona humbën jetën nga shpërthimi i një autobombe në qytetin qendror të Khalisit.

Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, sipas zyrtarëve lokalë, por ende nuk dihet se kujt i atribuohet akti i fundit i dhunës që trondit Irakun.

Përgjegjësinë e sulmit në një postbllok të Bagdadit e mori përsipër Shteti Islamik, i cili ka humbur kontrollin e një pjese të qyteteve dhe fshatrave të pushtuara në vitin 2014, e për shpagim ka shtuar valën e sulmeve vetëvrasëse.

Khalisi është qytet i banuar kryesisht nga shiitë dhe besimtarët e këtij sekti fetar, ISIS – ndjekës i një forme ekstreme të Islamit sunit – i ka vënë shpeshherë në shënjestër.

“Pamë trupa të djegur brenda makinave të tyre, përfshirë këtu dhe një mikrobus të mbushur me gra e fëmijë”, i thanë burime policore agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Të njëjtët persona sqarojnë se, edhe shpërthimi i Khalisit ishte sulm vetëvrasës, e ka bërë që edhe shumë makina rreth e rrotull automjetit të autorit të përfshiheshin nga flakët.

Top Channel