Gjermania vajton viktimat e sulmit vdekjeprurës në Mynih

24/07/2016 00:00

Me qirinj të ndezur në vendin e ngjarjes dhe lutje për ata që humbën e për të afërmit e tyre, Gjermania vajton 9 viktimat e sulmit fatkeq të së premtes.

Mes tufave me lule, që mbulojnë atë pjesë të sheshit përpara qendrës tregtare “Olimpia”, ngrihet një tabelë e vogël me mbishkrimin e thjeshtë: “Përse?”. Trauma e të shtënave, që këputën në mes aq jetë të reja, do të mbetet gjatë në kujtesën e këtij qyteti, por mbi të gjitha ajo duket e destinuar të shenjoje ata që e përjetuan nga afër.

Hueseyin Bayri ishte aty dhe e pa njërin prej adoleshentëve të jepte shpirt. “Autori shante e mallkonte të huajt”, rrëfen ai për “Associated Press”, e në një moment thirri: Do t’iu vras të gjithëve!”.

Bayri tregon sesi u përpoq dëshpërimisht ta mbante në jetë të riun deri në mbërritjen e ndihmës. “Vëlla, plagët e tua nuk janë dhe aq të rënda. Ambulancat po vijnë, mos u dorëzo”, i ka thënë djalit të shtrirë në tokë me trupin e shpuar nga plumbat. Por ai i vdiq në krahë. Fjalët e fundit që tha ishin: Të lutem më ndihmo!

Veç dy vajzave dhe një djali shqiptar, në mesin e viktimave të tjera të çmendurisë së tij ishte dhe një 19-vjeçar grek, i cili u sakrifikua për t’i shpëtuar jetën të motrës binjake, si dhe një 15-vjeçar me origjinë turke.

Peter Langman, autori i librit “Përse vrasin të rinjtë, brenda mendjes së vrasësve në shkolla”, një kopje e të cilit u gjet mbi komodinën e Ali David Sonboly, shpjegon se persona të tillë shpeshherë studiojnë veprimet e vrasësve të tjerë në kërkim të një modeli.

Kancelarja Angela Merkel u shpreh e tronditur në deklaratën e saj.

“Gjermania mban zi me zemër të vrarë, për ata që nuk do të kthehen më kurrë në familjet e tyre. Të afërmve iu them se, me mendimet tona jemi te ju, ne ndajmë dhimbjen tuaj, ne vuajmë bashkë me ju”, tha Merkel.

Shefja e ekzekutivit lavdëroi nga ana tjetër punën e policisë, duke i mëshuar idesë se bashkëpunimi mes autoriteteve bavareze dhe atyre federative ka funksionuar ngushtë dhe në vijimësi.

FOTO GALERI
3/5
Familjarë të Armela Segashit, nga Kosova

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA