Një natë e frikshme për ish-paparacin italian Fabrizio Corona, i cili është përballur me një tentativë zhvatjeje dhe kërcënime ndaj tij dhe djalit të tij. Ngjarja ndodhi natën mes të enjtes dhe të premtes, më 3 shtator, në Milano.
Sipas raportimeve të mediave italiane, mes tyre La Repubblica dhe Il Giorno, Corona ka marrë telefonata dhe mesazhe kërcënuese nga dy të rinj, të cilët ai i ka përshkruar si “ish-miq të djalit të tij”.
Dy të rinjtë i kanë kërkuar 500 euro, duke e kërcënuar se në të kundërt do t’i bënin keq atij dhe djalit të tij të madh, Carlos Maria, të cilin Corona e ka me ish-bashkëshorten Nina Moric.
Pas kërcënimeve, Corona është paraqitur në zyrën e ankesave në Via Fatebenefratelli, në Milano, ku u ka treguar autoriteteve mesazhet dhe provat e komunikimit me dy personat.
Sipas hetuesve, autorët i kishin kërkuar që të shkonte në Via Noè. Corona u nis drejt vendit të takimit me automjetin e tij, ndërsa dy ekipe të policisë e monitoruan situatën në distancë për të garantuar sigurinë e tij.
Kur mbërriti në vendin e caktuar, një 20-vjeçar, i dyshuar si autori i mesazheve kërcënuese, u shfaq dhe, në një moment tensioni, goditi me zinxhir xhamin e pasmë të makinës së Corona-s.
Policia ndërhyri menjëherë dhe arrestoi të riun. Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij 24-vjeçar u largua me vrap nga vendi i ngjarjes, por u identifikua nga autoritetet.
Sipas raportimeve, ndaj 20-vjeçarit është ngritur procedim penal për tentativë zhvatjeje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Top Channel