Tkurren depozitat në maj, ekspertët: Pasojë e rënies së interesave

02/07/2016 00:00

Ulja e normave të interesit duket se po i nxit individët që kanë kursime në banka t’i kanalizojnë paratë në alternativa të tjera investimi, ku mund të fitojnë më shumë.

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se pas disa vitesh rritje, për herë të parë depozitat në maj ishin më të ulëta se një vit më parë.

“Kur normat janë aq të ulëta sa vlera e kursimeve bie, individët kërkojnë alternativa të tjera. Një pjesë e parave kanë shkuar në obligacione dhe fonde të investimit, por nuk përjashtohet mundësia që një pjesë të mbahet si kesh”, deklaron eksperti Arjan Kadare.

Por veç rënies së interesave, një tjetër shkak për uljen e depozitave, sipas Kadaresë, mund të jetë dhe ngadalësimi i rritjes së të ardhurave familjare.

“Është fakt se rrogat janë rritur me ngadalë ose fare. Burimi nga rrogat është burimi i parë i të ardhurave të disponueshme, ndërkohë që oferta për kursime, qoftë në formë depozitash apo të tjera, të ketë rënë përgjithësisht”, nënvizon Kadare.

Dekurajimi i kursimeve ka qenë synim edhe i politikës monetare, për të nxitur konsumin në ekonomi. “Në politikën monetare një nga fushat e veprimtarisë është dekurajimi i kursimit dhe inkurajimi i konsumit. Kjo dalje depozitash do të ishte në drejtimin e duhur nëse do të shtohej konsumi, por ne nuk e dimë se ku kanë shkuar paratë”, thekson Kadare.

Të dhënat tregojnë se në 5 muajt e parë të këtij viti depozitat u tkurrën me mbi 12 miliardë lekë, ose 120 milionë dollarë.

Top Channel