Klima e biznesit, njihen përmirësimet por shtohen kërkesat

01/07/2016 00:00

Një vit pasi aksioni kundër informalitetit tensionoi marrëdhëniet mes qeverisë dhe sipërmarrjes private, biznesi thotë se lehtësirat e parashikuara në paketën e re për procedurat tatimore mund të përmirësojnë klimën e të bërit biznes.

“Këtë vit shohim me interes dhe vlerësojmë hapjen e një dialogu konkret dhe konstruktiv midis Ministrisë së Financave dhe Sipërmarrjes, për të harmonizuar me këtë projektligj disa shtesa dhe ndryshime që ne i konsiderojmë shumë të rëndësishme”, tha Ines Muçostepa, nga Unioni i Dhomave të Tregtisë.

“Tashmë edhe kur të vijnë, të japin një muaj kohë për t’u vetërregulluar. Ndaj dhe të gjitha këto gjëra e kanë larguar pak frikën te sipërmarja private”, tha Luan Bregasi, kreu i “Bussiness Albania”.

Por sërish bizneset kanë bërë publike sugjerimet e tyre shtesë, e për herë të parë në mënyrë të unifikuar.

“Kërkojmë që gjobat për biznesin e vogël të bëhen me disa faza. Së pari njoftim këshillimi, më pas përshkallëzim gjobe në proporcion me shkeljen. Më tej për moslëshim të kuponit tatimor, gjoba të jetë 5.000 lekë për biznesin e vogël dhe 10 mijë lekë për biznesin e madh”, tha më tej Luan Bregasi.

“Ne kërkojmë që të ulemi në tryezën e bisedimeve, në mënyrë që këto propozime apo sugjerime të bëra nga sipërmarrja private t’i kalojnë me shumë kujdes dhe, pse jo, të përfshihen 100% sepse nuk kemi kërkuar asgjë të tepërt”, tha Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka deklaruar se paketa e re do të ketë një sërë lehtësirash proceduriale, me theks tek e drejta e bizneseve për të vetëkorrigjuar deklarimet tatimore pa u ndëshkuar, si dhe detyrimi i administratës për të lajmëruar paraprakisht biznesin për çdo kontroll.

Top Channel