Nën armë, 7 vitet e para në NATO

29/06/2016 00:00

7 vite më parë, flamuri i Shqipërisë u ngrit në sheshin kryesor të NATO-s në Bruksel, për t’u rreshtuar në krah të 27 vendeve të tjera anëtare të Alenacës së Atlantikut të Veriut. 

Sot, 7 vite më pas, vendi ynë konsiderohet si një ndër aleatët më të rëndësishëm të NATO-s, pavarësisht detyrimeve që duhet të përmbushë.

“Që prej 7 vitesh që Shqipëria është bërë anëtare në NATO, është bërë një kontribuuese e madhe në aktivitetet e Aleancës, me trupa në Kosovë e Afganistan. Gjithashtu Shqipëria ka qenë shumë aktive në diskutimet tona, duke mbështetur rrugën euro-atlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Jam i lumtur që në dy vitet e fundit, Shqipëria ka ndryshuar trendin negativ në shpenzimet mbi mbrojtjen, sepse secili duhet të bëjë pjesën e tij në përballjen me çështjet e sigurisë si në lindje ashtu edhe në jug dhe Shqipëria ka vendosur të rrisë buxhetin mbi mbrojtjen dhe të rris përqindjen që shkojnë mbi paisjet dhe modernizimin e ushtrisë.”, tha Alexander Vershboë, Zv.Sekretar i Pergjithshem i NATO .

“Shqipëria i ka përdorur 7 vitet e fundit në mënyrën më të mirë të mundshme. Shtatë vite më parë, ju erdhët në tryeze, ku une dhe ambasadori juaj u ulëm me 26 aleatë të NATO-s. Ju keni qenë një aleat i fortë dhe i besueshëm në këto shtatë vite dhe këtë gjë e keni demonstruar me pjesëmarrjen tuaj në operacionet në Afganistan, por gjithashtu në Kosovë, me KFOR-in. Keni bërë progres në reformat ushtarake, ju vazhdoni progresin në reformat politike dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme, sepse kur antarësimi vjen, procesi nuk ndalon. Antarësimi në një anë është një gur themeli, por reformat politike dhe ushtarake duhet të vazhdojnë. Dhe meqë ra fjala, ato vazhdojnë për të 28 vendet. Pra, shqiptarët duhet të ndihen të sigurt me pozicionin e tyre këtu në Aleancë, por gjithashtu të kuptojnë që ka ende punë për t’u bërë. Ka punë për t”u bërë në frontin ushtarak, ka punë për t’u bëre në reformimin e demokracisë në Shqipëri. Një pikë do doja të specifikoja për shikuesit tuaj: ka shumë punë për të bërë në angazhimin për t’i rritur shpenzimet mbi ushtrinë ne nivelin e duhur, sepse me përfitimet e të qenit anetar i NATO-s, vijnë dhe përgjegjesitë, Qeveria juaj ka punë për të bërë në këtë drejtim, por kjo nuk është lajm. Ne të gjithë kemi ende punë për të bërë. Por qasja e dyfishtë midis përfitimeve dhe përgjegjesive, është shumë e rëndësishme.”, u shpreh Douglas Lute, Ambasador i SHBA-ve në NATO.

“Ne mendojmë se antarësimi i Shqipërisë në NATO, ka rritur situatën e sigurisë në Ballkan dhe vendi juaj ka kontribuuar në këtë zhvillim. Shqipëria ka zhvilluar në rrugën e duhur dhe kapacitetet e saj ushtarake dhe gjithçka po e bëjnë në bashkëpunim me NATO-n. Gjithashtu vendi juaj ka një kontribut të rëndësishëm në performancën e Aleancës. Një tjetër kontribut është, pjesëmarrja në një sërë operacionesh të Aleancës, por edhe të Bashkimit Europian, në pjesë të ndryshme të botës. E thënë më thjeshtë, Shqipëria ka një kontribut të rëndësishëm dhe ne jemi të gjithe të lumtur që u bë pjesë e NATO-s dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm për të gjithë rajonin.”, tha Hans-Dieter Lucas, Ambasador i Gjermanisë në NATO.

Por një sërë arsyesh, Shqipëria konsiderohet si një ndër vendet anëtare, e cila ka lobuar më shumë për antarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Unë gjithmonë mendoj që vendet mund të bëjnë gjithmonë më shumë, por Shqipëria ka bërë shumë, duke i ngritur këto çështje në diskutimet tona të brendshme si dhe duke nënvizuar ndihmën që u duhet dhënë vendeve të rajonit në aspiratat e tyre euro-atlantike. Por edhe për shkak të lidhjeve etnike me popullsinë, në Kosove sigurisht, në jug të Serbisë dhe në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, mund të ushtrojë një influencë të moderuar, për të ndihmuar për gjetjen e zgjidhjeve politike për të cilat fola dhe me lart. Gjithashtu Shqipëria dhe vetëm duke treguar shembullin e saj dhe rrugën e vështirë, reformat thelbesore, automatikisht u tregon rrugën e stabilitetit dhe të integrimit. Shpresoj që vendet fqinje do ta studiojnë Shqipërinë dhe eksperiencën e saj pozitive.”, u shpreh Alexander Vershbow, Zv.Sekretar i Pergjithshem i NATO. 

“Një nga rolet më të rëndësishme që Shqipëria ka luajtur për vendet e tjera të Ballkanit Perendimor, në 7 vitet që ju jeni pjesë e Aleances, është se ju keni shërbyer si një model. Pikë së pari, një model se gjithçka është e mundurë një model për reformat që duhen  ndërmarrë si në aspektin politik, ashtu dhe në atë ushtarak dhe ju shërbyet si një model, duke i treguar vendeve të Ballkanit Perendimor, të cilët ende nuk janë anëtar dhe që nuk kanë arritur ende progresin që ka arritur Shqipëria, duke ju shërbyer si një model për t’i thënë që “Ti mund tja dalësh”, nëse ne ja dalim, edhe ju mund tja dilni. Një nga rolet më të rëndësishme të aleatëve tanë në vendet e Ballkanit Perendimor, është që të shërbejnë si modele se çfarë është e mundur dhe Shqipëria ka qenë një model shumë i mirë.” U shpreh Douglas Lute, Ambasadori i SHBA-ve ne NATO

Gjithmonë, Ballkani Perendimor është parë si një zonë problematike, e cila gjithnjë ka prodhuar tensione, qofshin keto etnike apo edhe të brendshme.

“Situata në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë është shumë shqetësuese. Eshte e trishtë, pasi në kohen që Shqipëria dhe Kroacia morën ftesën për antarësim, Maqedonia ishte në të njëjtin nivel. Kishte vetem një kërkese, ajo që ju e dini, çështja e mosmarrëveshjeve mbi emrin me Greqinë. Per fat të keq, ato negociata nuk prodhuan asnjë rezultat dhe në të njëjtën kohe, situata e brendshme në Maqedoni është bërë shumë më e paqendrushme. Zgjidhja e sjellë nga BE me mbështetjen e SHBA-ve nuk u implementua me sukses dhe ne jemi të shqetësuar që në zgjedhjet e ardhshme nuk do të marrin pjesë shumica e partive politike, cka e bën situatën edhe më të rrezikshme. Shpresojmë që të gjithë forcat politike në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë të shohin situatën ku vendi i tyre ndodhet dhe të bëhen bashkë në shpirtin e kompromisit politik, gjë kjo që i risjell automatikisht në rrugën e antarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian, që është në afate më të largëta.”, tha Alexander Vershbow, Zv.Sekretar i Pergjithshem i NATO.

“Situata në Ballkanin Perendimor nuk është e qëndrueshme dhe kjo vazhdon që prej 20 vitesh. U shënuan 20 vjet, dhjetorin e kaluar kur NATO ndërhyri në Bosnje me mandatin e Këshillit të Sigurisë me IFOR-in dhe kjo ishte ndërhyrja e parë e NATO-s jashte kufijeve të saj. Pra NATO ka një histori ku ka qenë e perfshire për të vendosur stabilitetin në Ballkanin Perendimor, duke nisur që me ndërhyrjen në Bosnjë në 1995. Ajo punë vijon ende. Unë besoj që antarësimi i Shqipërisë, Sllovenisë dhe Kroacisë në NATO kanë pasur kontribut të rëndësishëm në vendosjen e stabilitetit. Po ashtu hapi që ndërmorrëm për antarësimin e Malit te Zi, është po ashtu një gur themeli i rëndësishëm, por puna vijon”, u shpreh Douglas Lute, Ambasadori i SHBA-ve në NATO.

“Mendoj se vendet e Ballkanit Perendimor kane bere progres, nese e krahasojme me ate qe ishte 20 vite me pare. Pra ne kete perspektive, me antaresimin e Kroacise, Sllovenise ne Bashkimin Europian dhe te Shqiperise ne NATO dhe tani me po presim antaresimi e  Malit te Zi, perspektiva euro-atlantike per vendet e Ballkanit Perendimor eshte shume e rendesishme per ne dhe sic e thashe, me antaresimin e Malit te Zi kemi nje elemet te ri ne kete aspekt. Por ne duhet te vazhdojme. Nuk jemi ne fund te rruges. Eshte e domosdoshme per te gjitha vendet qe te vahzdojne rrugen e reformave. Kjo po ashtu eshte e rendesishme edhe per Shqiperine. Vendi juaj ka bere progres shume domethenes, por nuk ka asnjë qe nuk mund te permiresohet. Dhe nje fushe shume e rendesishme ku duhet bere ende shume pune eshte Reforma ne Drejtesi dhe te gjitha fushat e tjera, te cilat kane rendesi per investimet e huaja. Gjithsesi mendoje qe vendet e Ballkanit Perendimor jane ne rrugen e duhur, por me shume pune duhet bere.” tha Hans-Dieter Lucas, Ambasador i Gjermanise në NATO

Por pavarësisht problemeve që ka rajoni i Ballkanit Perendimor, për sekretarin e përgjithshem të NATO-s, Jens Stoltenberg, Aleanca është dhe do të jetë e fokusuar në këtë rajon.

“Prezenca e NATO-s në ballkan për shumë dekada, ka qenë e rëndësishme për stabilitetin atje dhe për të qenë në gjendje që të ndryshojmë gjendjen, ku nga një rajon i prekur shumë nga luftrat, vuajtjet dhe konfliktet, të kthehet në një rajon ku ne tani kemi stabilitet. Dhe sigurisht, prezenca e NATO-s ka kontribuuar në këtë stabilitet. Janë të dy operacionet tona ushtarake në Bosnje dhe më vonë në Kosovë, ku ne vijojme të kemi ende trupa atje. Tanimë, ne po shohim se si të mbajmë të qëndrushëm stabilitetin në të gjithë rajonin dhe zgjerimi i NATO-s ka qënë pikërisht një provë për të treguar pikërisht atë gjë. Kemi parë shtete si Kroacia, Sllovenia dhe Shqipëria që të bëhen pjesë e NATO-s dhe tanimë kemi nënshkruar dhe traktatin e aderimit me Malin e Zi. NATO do të vijojë që të jetë e fokusuar në Ballkanin Perëndimor, sepse ky rajon ka rëndësi për NATO-n.”, tha Jens Stoltenber, Sekretar i Pergjithshëm i NATO.

“Duhet të shikojmë çdo vend në bazë të meritave të veta. Ka një interes të madh nga ana e Bosnjë Hercegovinës dhe Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Kosova po ashtu ka shfaqur interes, por është një gjë që duhet pranuar dhe që dihet, që disa vende të NATO-s nuk e kanë njohur Pavaresinë e Kosovës dhe në këtë pikë, antarësimi i Kosovës në Aleancë, nuk është në axhendë në këtë moment. Po ashtu, Serbia është një vend partner i NATO-s, ka një plan individual veprimi, por nga ana e saj Serbia nuk ka shfaqur interes për t’u antaresuar, kështu që edhe antarësimi i Serbisë nuk është në axhende.”-tha Hans-Dieter Lucas, Ambasador i Gjermanisë në NATO

Ndërhyrja e NATO-s në ish-Jugosllavi në ndihmë të shqiptarëve të Kosovës, në vitin 1999, është cilësuar si një nga operacionet më të rëndësishme të Aleances. Një personazh tërhoqi vëmendjen e gjithë shtypit ndërkombetar në atë kohë, dhe ai ishte Jamie Shea, ish-zëdhënësi i Aleancës së Atlantikut të Veriut. 17 vite më parë, ai u shpreh se jetët e humbura në Serbi gjatë bombardimeve të NATO-s, ishin një çmim që duhej të paguhej për të mposhtur një të keqe të madhe. Sot, 17 vite më pas, ai i qëndron sërish me forcë deklaratës së tij.

“Absolutisht. 100% unë i qëndroj asaj që kam thënë, pasi çdo gjë që pamë lidhur me atë që ndodhi në Kosovë në 1999, spastrimin etnik, njerëzit të cilët u vranë, njerëzit të cilët u larguan me forcë nga shtëpitë e tyre duke u ndarë dhe nga familjet e tyre, të gjitha ato më bindën që NATO veproi në mënyre të drejtë, në krahun e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut. Mosndërhyrja e NATO-s në kohë, do të sillte një situatë tjetër, të ngjashme me atë në Bosnjë në fillim të viteve 90. Absolutisht nuk kam asnjë pendim për ato që kam thënë.”, tha Jamie Shea, zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Zhvillimin dhe Sfidat e Sigurisë.

Por kur flitet për antarësimin e Kosovës, të gjithë drejtuesit e Aleancës shprehen se është ende herët për një hap të tillë, por pavarësisht kësaj, Prishtina duhet të mbeshtet tek NATO, thonë ata.

“Fokusi kryesor i NATO-s tani është që të zhvillojë një bashkëpunim të ngushtë me Kosovën. Ne kemi një ekip të NATO-s atje që po asiston Forcën e Sigurisë. Unë mendoj që antarësimi në NATO apo BE, sigurisht që janë të rëndësishëm dhe banorët e Kosovës. Padyshim që ata duhet që të shohin që e ardhmja e tyre është në Europë. Por ka probleme pasi jo të gjithë vendet anëtare të NATO-s e kanë njohur pavaresinë e Kosovës. Pra në të njëjtën kohë ne duhet të fokusohemi në thellimin e bashkëpunimit, që perfshin  dialogun dhe veprime të tjera praktike, që e sjellin Kosovën në rrugën e standardeve euro-atlantike.”-tha Alexander Vershbow, Zv.Sekretar i Pergjithshem i NATO.

 

“Unë nuk dua të bej parashikime të cilat nisim me vendime tërësisht kombëtare. Antarësimi apo kërkesa për antarësim në NATO nis me vendimin sovran të një vendi, për ta ndërrmarr atë hap, siç bëri Shqipëria disa vite më parë. Kosova ende nuk e ka marrë atë vendim. Nga ana tjetër, NATO është angazhuar në Kosove. 17 vjet më parë NATO nisi fushatën e bombardimeve për të ndaluar vuajtjet e njerëzve atje. 17 vjet më pas, sot, ne jemi sërish në Kosove me 5000 trupa me ftesën e njerëzve dhe të qeverisë së Kosovës. Ideja është se prezenca e NATO-s mund të eksportojë apo të projektojë stabilitet në një zonë, e cila është provuar në të kaluaren që është e paqëndrueshme. Kështu që përsa kohë ne jemi të mirëpritur në Kosovë, punojmë me autoritetet vendore atje, duke zbatuar ligjet e tyre, mendoj që NATO do të jetë një element i rëndësishëm i stabilitetit në atë rajon. Ne kemi qenë aty për 17 vjet  dhe qytetarët e Kosovës mund të kenë siguri tek ne që do jemi aty edhe në të ardhmen”, tha Douglas Lute Ambasadori i SHBA-ve ne NATO.

“Ne na duhet tani që Kosova të njihet nga sa më shumë shtete që ta sjellim Kosovën sa më afër organizatave ndërkombetare. Kosova nuk është vetëm një vend që mban trupat e NATO-s, por duhet që të behet nje partner me aktiv i aleancës dhe të eci përpara.”, tha Jamie Shea, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Zhvillimin dhe Sfidat e Sigurisë

Por zgjerimi i NATO-s sëfundmi me Malin e Zi, nuk është pritur aspak mirë nga Rusia, e cila e konsideron këtë veprim si një akt të papranushem nga ana e Aleancës. Por zyrtarët e NATO-s janë shumë të qartë në këtë pikë.

“Sigurisht Rusia është një fuqi e madhe që ka interesa në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shqetësimet e mija lidhur me sjellet e Rusisë kanë të bëjnë me principet e sovranitetit dhe pavarësisë së vendeve të Ballkanit Perendimor. Pozicioni jonë për antarësimin e Malit të Zi ishte një pikë kyçe. Ne i qendrojmë të drejtës të çdo kombi që të zgjedhë marrëveshjet e sigurisë, aleancat e sigurisë dhe asnjë forcë e jashtme të mos vendosë veto-n mbi të. Kur vjen puna tek Serbia, dihet se Rusia dhe Serbia kanë marredhënie historike mes tyre, por ne shpresojmë që Rusia të mos bëjë rezistencë në rrugën e aspiratave të Serbisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe të rritjes së bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n. Kjo nuk është një strategji pa pasoja, pavarësisht se Rusia ndonje here e luan si te tille.” tha Alexander Vershbow Zv.Sekretar i Përgjithshëm i NATO.

“Shpresoj që antaresimi i Malit te Zi ne muajt e ardhshem do te sjell zhvillime pozitive ne Ballkan. Se pari, tregon qe dyert e NATO-s janë të hapura, jo me qëndrime dhe presione nga Rusia, presione ndaj ndaj Malit të Zi, presione ndaj NATO-s. Shtetet nuk duhet ta lejojnë që të intimidohen nga fuqitë e medha. Nëse ata duan të bashkohen me Aleancën, dyert janë të hapura. Gjithashtu është një sinjal pozitiv për Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Serbinë nëse do të shkojë në atë drejtim, për Bosnjën dhe gjithashtu edhe për Kosovën në terma të integrimit në të ardhmen. Gjithashtu është e rëndesishme dhe dërgon sinjale pozitive për shtete si Ukraina dhe Gjeorgjia, të cilat gjithashtu janë nën presion nga Rusia.”, tha Jamie Shea Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Zhvillimin dhe Sfidat e Sigurisë.

“Nuk është më sekret që marrëdheniet tona me Rusinë janë të tensionuara ditët e fundit, ku padyshim problemi serioze nisën që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë dhe agresioni i vazhdueshëm në lindjen të Ukrainës. Sa më shumë Rusia angazhohet në rritjen e konsiderueshme ushtarake, rrit sfidat e sovranitetit të vendeve fqinje, vendet e NATO-s duhet të përballen me realitetin që ne jemi në një garë me Rusinë, por kjo nuk do të thotë që po kthehemi pas në “Luften e Ftohte”, jo nga ana e NATO-s të pakten. Ne nuk duam një “Luftë të Ftohtë” ne duam marrëdhenie të qëndrushme dhe produktive me Rusinë, por në të njëjtën kohë ne i përmbahemi parimeve tona, që duhet të kthehet dhe t’i përmbahet ligjeve ndërkombetare, të respektojë sovranitetin e fqinjëve të saj dhe të largojë trupat e saj nga Ukraina. Vetëm atëherë mund të nisim të mendojmë që të rregullojmë bashkëpunimin që ne kishim me Rusinë. Ne nuk mund ta ndryshojmë gjeografinë, Rusia është fqinji ynë dhe ne nuk kemi asnjë qellim agresioni ndaj saj. Përgjigja që marrin për agresionin e tyre është mbrojtja proporcionale, e cila është në të njejtën linjë me angazhimet tona ndërkombetare dhe ne kemi qenë shumë transparent lidhur me to. Kështu që, tashmë zgjedhja i takon Rusisë, nëse do duan të respektojne ligjet ndërkombetare apo të vazhdojnë të shtrijnë influencën e tyre duke u munduar të krijojne një “Jalta 2”, gjë që është e papranueshme për NATO-n.”, tha Alexander Vershbow, Zv.Sekretar i Pergjithshem i NATO.

Bashkëpunimi dhe veprimi si një forcë e vetme, është çelësi kryesor i funksionimit të NATO-s dhe si të tilla, ato janë në prioritetet kryesore të cdo vendi, pasi askush nuk mund të perballet i vetëm në një betejë.

 Zhvillimet e fundit globale kanë bërë që dhe prioritetet e Aleancës të ndryshojnë. E për këtë arsye, Samiti i Varshaves, do të ketë adresime dhe vendime specifike për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm por edhe për t’i bërë ballë sfidave me të cilat përballet NATO sot.

 “Samiti i Varshaves do të jetë një samit shumë i rëndësishëm. Në samitin e Uellsit nisëm të përballeshim me një qasje të re të sigurisë. Kjo qasje e re e sigurisë është e lidhur me drejtimin të cilin Rusia zgjodhi të shkojë, me më shumë veprime agresioni mbi Ukrainën. Gjithashtu ne kemi dhe një sfidë sigurie mes nesh, por edhe në Afriken e Veriut dhe në Lindjen e Mesme.”, tha Thrasyvoulos Terry Stamatopoulos – Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për cështjet politike dhe politikat e sigurisë.

 

“Samiti i Varshaves do të jetë një mundesi e mirë për krerët e shteteve për të ndjekur vendimet e marra në Samitin e Uellsit. Ne jemi në një situatë tjetër sigurie dhe në duhet t’i përgjigjemi sfidave që kemi dhe do të ketë hapa të reja mbi mbrojtjen, të cilat Aleanca mund t’i mundësojë. Ne gjithmonë vendosim qytetarët në qendër të mendimeve tona, sigurinë e tyre dhe ne duhet të rrisim elasticitetin e Aleancës dhe të qeverive.”, tha Tacan Ildem Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm per Diplomacinë Publike.

Samiti i Natos këtë herë mbahet në shtetin anëtar në kufi me Rusinë, i cili jo pak herë është ndjerë i kërcenuar nga veprimet e Moskës. Prej vitesh Shtetet e bashkuara të Amerikës kanë në plan vendosjen e sistemit anti raketë në Poloni dhe Rumani, por kjo gjë është kundërshtuar ashpër nga Rusia, që para aneksimit të Krimesë dhe përkeqësimit të fundit të marrëdhenieve me perëndimin. Ditët e fundit në Poloni u zhvillua stërvitja ushtarake e NATO-s, “Brilliant Jump 2016” . Bashkë me trupat polake, angleze dhe spanjolle, ishin edhe 150 forca ushtarake shqiptare të batalionit të 2-të këmbësorisë të quajtur ndryshe dhe “zemërluanët”. Stërvitja u zhvillua për të provuar Planin e Veprimit të Gatishmërisë së NATO-s. Qëllimi ishte për të testuar aftësinë për t’u vënë në lëvizje në një kohë shumë të shkurtër, nëse kërcënohet sovraniteti i një shteti anëtar të NATO-s.

 

Top Channel