Ekonomia dhe rreziku i “Brexit”, qeveria, BSH dhe FMN vlerësojnë ecurinë

28/06/2016 00:00

Qeveria, Banka e Shqipërisë dhe fondi monetar ndërkombëtar ndajnë të gjitha të njëjtin vlerësim për ecurinë e ekonomisë.

“Ekonomia në tërësi ka një përshpejtim në ritmet e saj të rritjes e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe investimet e huaja direkte”, tha ministri Ahmetaj.

“Ekonomia shqiptare vazhdon të shfaqë një përmirësim progresiv të rritjes. Ky përmirësim është mbështetur nga zgjerimi i kërkesës së brendshme, pra konsumi dhe investimet”, u shpreh Guvernatori Sejko.

“Ne presim që rritja ekonomike të vazhdojë të forcohet. Ne parashikojmë që rritja ekonomike këtë vit të arrijë në 3.4 për qind për këtë vit, e cila do të mbështetet në një masë të madhe nga projektet e mëdha të investimeve të huaja dhe rimëkëmbja e kërkesës së brendshme”, u shpreh Anita Tuladhar, shefja e misionit të FMN në Shqipëri.

Por, rreziqet për ekonominë mbeten të larta, veçanërisht ato që burojnë nga ambienti i jashtëm.

“Balanca e rreziqeve është e zhvendosur në kahun e poshtëm dhe zhvillimet e fundit në Britani e komplikojnë më tej situatën”, theksoi Sejko.

“Ne nuk shohim kanale direkte të transmetimit të krizës britanike në termat e tregtisë apo dërgesave dhe investimeve të huaja. Megjithatë ekziston rrezik që vjen nga ajo se çfarë do të ndodh në Eurozonë. Është ende herët dhe ka ende shumë pasiguri. Por ne besojmë se ky kanali indirekt do të jetë burimi kryesor i rrezikut për Shqipërinë”, thotë Tuladhar.

FMN i kërkoi qeverisë të përshpejtojë reformat për klimën e biznesit dhe të ruajë ecurinë sipas saj pozitive të të ardhurave në buxhet.

Top Channel