
Policia britanike dyshon se, personi që ka vrarë një çift pensionistësh në Angli dhe që ishte i regjistruar si shtetas kosovar nën emrin e rremë Ali Qazimaj, mund të jetë nga Shqipëria, me banim në Kamëz.
Për këtë arsye, autoritetet policore britanike u kanë sjellë homologëve shqiptarë foto të personit të shpallur në kërkim, i cili mendohet se pas largimit nga Anglia vazhdon jetën e tij në arrati në Shqipëri.
Përveç fotos, autoritetet britanike kanë sjellë edhe prova të tjera të siguruara në vendngjarje dhe që implikojnë shtetasin shqiptar në vrasjen e çiftit të pensionistëve. I kërkuari, në momentin e largimit nga Britania ka lënë mjetin e tij tip “Citroen C3” pranë Portit të Doverit, rreth dy javë më parë.
I kërkuari që ishte regjistruar si Ali Qazimaj nga Kosova, ka qëndruar për rreth 17 vite në Angli me identitet të rremë. Verifikimet e britanikëve në Kosovë rezultuan se, Ali Qazimaj ishte një zdrukthtar që nuk kishte qenë asnjëherë në Angli dhe nuk fliste asnjë fjalë anglisht.
Top Channel