Edhe historianët kundër demarkacionit me Malin e Zi

10/06/2016 00:00

Shenjimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk po ratifikohet në Parlament. Kjo vijë demakracioni vazhdon të kundërshtohet nga ana e ekspertëve, sepse në dëm të Kosovës janë rreth 8 mijë hektarë të rrethinave të Pejës, Rugovës dhe Podgurit.

Pikërisht delimitimi i kufijve të trevave shqiptare ka qenë fokusi i kumtesave të profesorëve nga Shqipëria dhe Kosova në një tribunë shkencore, me rastin e 138-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

“Demarkacioni është shenjim i kufijve, jo vendosje e tyre. Sot pretendohet se këtë me e zhvendos për disa kilometra”, thotë profesor Zejnullah Gruda.

Madje ambiciet gllabëruese të fqinjëve janë përsëritur edhe së fundmi, ku përfaqëses të partive opozitare në Mal të Zi pretendojnë kufij të njëjtë me ato të luftrave ballkanike.

“Gjeografikisht është për 82 km katrorë afërsisht”, thotë profesor Gruda.

Ndërsa ekspertët shqiptarë i kërkojnë politikës të kryejë detyrën konsitucionale të moscënimit të kufijve shqiptarë.

“Kjo i vë shtetarët e sotëm shqiptarë në një dritë të keqe në raport me ideatorët dhe krijuesit e shtetit shqiptar”, thotë historiani Pëllumb Xhufi.

“Shtetarët e sotëm e kanë për detyrë kushtetuese që të interesohen që asnjë pëllëmbë tokë të mos kalojë nga dy shtetet shqiptare tek shtetet fqinje”, deklaroi profesor Ksenofon Krisafi.

Lidhja e Prizrenit ka qenë zanafilla e përpjekjeve konkrete për themelimin e shtetit modern shqiptar, si dhe kundër problemeve të kufijve shqiptarë, që datojnë që në mesin e shekullit të 19 dhe janë prezent edhe sot.

Top Channel