3500 biznese bëhen të mëdhenj

10/06/2016 00:00

Tatimet i kanë bërë thirrje zyrtarisht mbi 3 mijë e 500 bizneseve në gjithë territorin e vendit që të ndryshojnë përgjegjësinë tatimore duke kaluar nga biznes i vogël në biznes të madh.

“Ne u kemi bërë letrat gjithë kësaj kategorie të tatim-paguesve për t’u thënë që ata vetë në mënyrë vullnetare duhet të ndryshojnë përgjegjësinë tatimore sepse të dhënat tatimore flasin për faktin që qarkullimi tatimor i tyre është që duhet të kalojnë në përgjegjësi të re tatimore”, thotë zv.drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Xhavit Curri.

Ai tregon se një pjesë e këtyre bizneseve, rreth 1 mijë, i janë përgjigjur vullnetarisht thirrjes duke kaluar në biznes të madh ose me TVSH.

“Ka edhe një kategori tjetër që në fakt rezistojnë akoma dhe nxjerrin argumenta”, sqaron ai.
Për bizneset, të cilat refuzojnë t’i përgjigjen thirrjes, Curri thotë se do të kalojnë në filtrin e administratës.

“Nëse nga verifikimi në terren shkohet në përfundimin që qarkullimi është mbi kufirin e regjistrimit, sigurisht ndryshohet edhe përgjegjësia tatimore, në të kundërt jo”, shprehet ai.

Nga fillimi i aksionit kundër informalitetit, Tatimet thonë se janë mbi 4700 biznese të cilat kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore duke kaluar nga biznes i vogël në biznes me TVSH, ose biznes i madh.

Top Channel