Thjeshtimi i procedurave fiskale, Ahmetaj letër bizneseve

02/06/2016 14:25

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj u ka dërguar një letër bizneseve për t’i njohur me draftin e qeverisë për thjeshtimin e procedurave fiskale, që konsistojnë sipas tij në uljen e burokracisë dhe përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në vend.

“Paketa e re me të cilën po punohet në Ministrinë e Financave ka hyrë në një proces të gjerë konsultimi me sipërmarrjen në të gjithë vendin. Janë marrë mbi 350 propozime të ardhura nga komuniteti i biznesit në vend, të cilat janë reflektuar në draft-ligj”, thotë Ahmetaj.

Në letrën e tij, shefi i financave të vendit ka veçuar elementët kyç të këtij drafti, që sipas tij do të ofrojnë më shumë lehtësi për sektorin privat.

“Disa elementë që dëshiroj t’i veçoj si tejet të rëndësishëm janë e drejta e sipërmarrjes për t’u vetëkorrigjuar pa penalitet për një periudhë 5-vjeçare, detyrimi i administratës për njoftimin e sipërmarrjes 45 ditë para se të ushtrojë kontroll, koncepti i precedentit fiskal për zbatimin e legjislacionit, rikonceptimi i strukturës së apelimit, vendimet e të cilit do të jenë finale për administratën fiskale”, ka sqaruar Ahmetaj.

Ai ka shtuar më tej se, me këtë draft qeveria po mundëson një standard të ri e të pakthyeshëm në favor të thjeshtimit të procedurave dhe përmirësimit të klimës së biznesit si asnjëherë më parë në 25 vjet.

Top Channel