Spaho: SHBA, breshër “pranëverës ekonomike” të qeverisë

02/06/2016 14:00

Partia Demokratike e ka cilësuar si një fshikullim për qeverinë sondazhin e Dhomës Amerikane të Tregtisë mbi besimin e biznesit tek shteti.

“Pranëverës ekonomike të qeverisë i ra dje një tjetër breshër, duke hedhur poshtë propagandën fodulle të saj. Sondazhi i Dhomës Amerikane të Tregtisë tregon rënien e besimit të biznesit me 4.83 pikë, për shkak të taksave të rritura, korrupsionit, monopoleve”, ka deklaruar nënkryetari i PD, Edmond Spaho.

Duke cituar fjalët e ambasadorit amerikan, Spaho ka nënvizuar se, “të vërtetat e këtij raporti janë tronditëse për gjithëkënd”.

“Jam tejet i shqetësuar rreth gjetjeve të këtij raporti – u shpreh ambasadori amerikan. Po këtë e thotë edhe FMN, e thotë dhe Banka Botërore, e thotë çdo biznes në vend e çdo investitor. Vetëm Rama e ministrat e tij shprehen se “nuk ka vend për shqetësim pasi gjithçka është një perceptim i gabuar”. Përse shprehen kështu? Sepse ekonomia e tyre personale njeh vetëm pranverë, vetëm lulëzim”, ka thënë Spaho.

Duke cituar raporti e DHAT, Spaho ka vënë në dukje se, nga 27 tregues, 24 prej tyre janë në rënie.

“Dhe kjo është hera e parë që besimi rezulton me rënie, qysh kur Dhoma Amerikane e Tregtisë ka filluar të publikojë këtë indeks. 65% e bizneseve të Dhomës Amerikane janë shprehur se klima për të bërë biznes është e pavaforshme apo shumë e pafavorshme. Burokracia e qeverisë, monopolet dhe konkurrenca e pandershme, niveli i përgjithshëm i taksave janë tre elementët kryesorë që shqetësojnë bizneset amerikane në Shqipëri”, ka vijuar nënkryetari i PD.

Sipas tij, me rënie të ndjeshme dhe mjaft shqetësuese rezultojnë edhe marrëdhëniet me Tatimet e Doganat.

“70 për qind e të anketuarve e konsiderojnë nivelin e taksave si të pafavorshëm, ose shumë të pafavorshëm për bizneset. Ky tregues ka shënuar rënien më të madhe nga viti 2014, me pothuajse 7 pikë. Ky është realiteti dramatik i ekonomisë sot dhe jo propaganda rozë që dëgjojmë çdo ditë nga Ahmetaj dhe Edi Rama”, ka shtuar Spaho.

Top Channel