Simulim terrori para Euro 2016, por plani del jashtë kontrollit

24/05/2016 00:00

Franca vazhdon të ketë si fokus kryesor sigurinë në prag të Europianit 2016 të kësaj vere. Kërcënimet potenciale dhe prezenca e celulave islamike ekstremiste e bëjnë vendin transalpin të jetë shumë i rrezikuar, sidomos para një eventi masiv si turneu i futbollit.

Autoritetet e sigurisë rrethuan stadiumin më të madh të futbollit në vendin transalpin me një gardh 5 metra të lartë dhe me 170 agjentë sigurie rreth impiantit, në një përpjekje për t’i treguar botës se sulmet e ISIS në nëntorin e kaluar nuk do të përsëriten.

Por jo gjithçka shkoi sipas planit. Plani i ri operacional, një simulim terrori në “Stade de France” ishte programuar për të parë efektivitetin e reagimit në rast të cenimit të masave të marra për aktivitetin ë nis pas 3 javësh.

Sidoqoftë me mijëra tifozë u ndjenë si në grackë nga sistemi i dyfishtë i kontrollit që parashikon check-in të dyfishtë të biletave dhe detektorë të ndryshëm lëngjesh dhe metalesh.

Shumë tifozë të cilët ishin thirrur na autoritetet për simulimin në Paris, nisën të ulërinin dhe tensioni ishte i lartë në një aksion që më shumë i ngjau një kaosi, sesa një plani të mirëorganizuar dhe për t’i bërë ballë sulmeve potenciale terroriste.

“Stade de France” ishte një prej shënjestrave të terroristëve në 13 nëntor të vitit të kaluar, por fatmirësisht plani i ekstremistëve nuk shkoi sipas parashikimit, edhe pse në ngjarjet e lidhura, u vranë më shumë se 130 persona në të gjithë Parisin.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel