Roshi: Ndjesë për mesazhin. Blushi ma ka sjellë në majë të hundës

19/05/2016 00:00

Kreu i Bashkisë së Kavajës ka postuar në faqen e tij të Facebook një mesazh ndjese për sms-në dërguar Ben Blushit, por ndjesa i drejtohet qytetarëve të Kavajës dhe jo deputetit.

“Dëshiroj të kërkoj ndjesë sot për një mesazh të nisur, që sigurisht nuk është i hijshëm dhe përmban një gjuhë që nuk duhet përdorur gjithësesi”, thotë Roshi.

Ai vazhdon duke shkruar se, “E vërteta është se kjo shkelje e imja e etikës ka ardhur pasi më ka ardhur shpirti në majë të hundës”.

“Që nga dita që kam sfiduar dhe kam fituar ndaj Sali Berishës në Kavajë, në qytetin që konsiderohej zona më e sigurt e PD, unë dhe familja ime jemi përballur me një lum shpifjesh, balte dhe denigrimi”, vijon Roshi.

Të njëjtat sharje e akuza të bëra nga Berisha, shkruan më tej ai, “i dëgjoja sot nga Ben Blushi, që foli me gjuhën e Sali Berishës dhe për këtë arsye e shkela etikën në komunikim, pasi ndonëse e pafalshme, edhe unë jam një njeri si gjithë të tjerët”.

Top Channel