Rama për “Euronews”: Miratojmë drejtësinë, çelim negociatat. Nuk jemi “djalli” i Europës

19/05/2016 00:00

Në një intervistë dhënë për gazetaren Audrey Tilve të “Euronews”, kryeministri Edi Rama është shprehur mbi temat më të nxehta aktuale, përfshi Reformën në Drejtësi dhe synimin për të çelur negociatat për anëtarësim në BE, por nuk i kanë munguar edhe disa pyetje jo të rehatshme.

Megjithatë, Rama ka këmbëngulur në idenë e tij se realiteti i Shqipërisë, por edhe i Ballkanit, nuk është ai që propagandohet nga krerë ekstremistë si Marine Le Pen apo aleatët e saj dhe se vendi ynë nuk është shtëpia e “djallit” në Europë.

Gazetarja, që në fillim është ndalur te ëndrra e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, edhe pse Shqipëria – sipas saj, – është një vend ballkanas i prekur nga disa gjëra shqetësuese si korrupsioni dhe krimi. Megjithatë, përpara saj qëndronte një kryeministër socialist, që ndodhet në pushtet prej 3 vitesh dhe që, si reformator i shquar ka për synim vetëm një gjë: bashkimin me klubin europian.

Ja intervista e plotë e Ramës për Audrey Tilve:

Audrey Tilve: Le ta nisim me misionin europian, duke qenë edhe objektivi juaj. Shqipëria është një vend kandidat që prej vitit 2014, ndërkohë, prej fillimit të këtij viti qeveria juaj po bën gjithçka të nevojshme për të çelur sa më shpejt negociatat për anëtarësim. Çfarë shihni kaq tërheqëse te Bashkimi Europian, duke parë edhe gjendjen aktuale të vendit tuaj?

Edi Rama: Mendoj se në Shqipëri, por edhe në Ballkan në përgjithësi, ne nuk kemi harruar atë që shpesh harrohet në Europë. Faktin që Bashkimi Europian është, mbi të gjitha, një projekt i paqes dhe prosperitetit. Mund ta kujtoni shumë mirë që, për herë të parë pas 68 vitesh, unë shkova në Beograd, ndërkohë që edhe homologu im serb erdhi në Tiranë, për herë të parë në historinë e dy vendeve fqinje, të cilat kanë zhvilluar edhe luftëra me njëri-tjetrin. Pse e bëra këtë? Sepse jemi të gjithë të bashkuar sa i përket synimeve tona për t’iu bashkuar Europës. E nëse Europa ka probleme, ne nuk duhet ta trajtojmë këtë si diçka që nuk funksionon, por si diçka që ka nevojë për udhëheqësi dhe kurajo për të ecur përpara.

Audrey Tilve: E në mesin e një Bashkimi Europian të trazuar, cili do të ishte thelbi i mirëpritjes së Shqipërisë, që ka ndoshta edhe më shumë probleme?

Edi Rama: Kjo është pikërisht ajo çfarë ju kanë dhënë Marine Le Pen dhe aleatë te saj në Europë. Ata kanë përhapur propagandë ndaj procesit të zgjerimit, por Europa do të bëhet gjithnjë e më solide nëse kompletohet si projekt, e duke mos lënë një “zonë gri” në mes të Europës, ku lojtarë të jashtëm si Rusia apo fundamentalistë islamikë të mund të gjejnë terren për të rrezikuar sigurinë e Europës.

Audrey Tilve: Përpara se ju të nisni negociatat për anëtarësim, Brukseli thotë se ju duhet të bëni një reformim kolosal të sistemit tuaj të drejtësisë. Progresi në këtë aspekt ka qenë i ngadaltë, kryesisht për shkak të konflikteve mes qeverisë suaj dhe opozitës, që kanë ngadalësuar këtë reformë. Si mund të dilni nga kjo situatë e ndërlikuar?

Edi Rama: Reforma nuk do të marrë edhe shumë kohë. E nisëm këtë rrugë mbi një vit më parë dhe jemi në fazat e fundit të procesit. Ajo është një reformë radikale dhe fundamentale kushtetuese, në mënyrë që të ndryshojmë tërësisht sistemin tonë të drejtësisë. Dhe, po. Është diçka shumë e vështirë. Kemi pasur diskutime të shumta dhe me siguri do të ketë sërish. Por duhet të dini se, për një fillim të mbarë ne jemi ende në kohë…

Audrey Tilve: Cila është korniza kohore e saj. Kur pritet që ta miratoni dhe implementoni këtë reformë?

Edi Rama: Ne duam të nisim negociatat për anëtarësim brenda fundit të këtij viti. Ndaj dhe duam që reforma të miratohet brenda kohës së nevojshme, përpara se të mblidhet Këshilli i Europës. Do të kalojë! Megjithatë, nga ana tjetër, ne duhet t’u japim fund historive të një Shqipërie të korruptuar dhe kriminale.

Audrey Tilve: A janë të korruptuar gjykatësit shqiptarë? A mundeni ju ta konfirmoni një gjë të tillë përpara kujtdo?

Edi Rama: E thashë edhe më sipër. Duhet t’u japim fund historive të një Shqipërie të korruptuar dhe kriminale, ashtu sikurse edhe të një Ballkani të korruptuar dhe kriminal. Këto besoj se janë stereotipe të krijuara vite më parë dhe që stigmatizojnë ende vendet tona lehtësisht.

Audrey Tilve: Sipas prokurorëve antimafia të Italisë dhe raportimeve të ekspertëve, rreth 1/3-ta e ekonomisë shqiptare qeveriset prej krimit dhe llojeve të ndryshme të trafikimit. Droga, trafiku i armëve, trafiku i qenieve njerëzore veçanërisht femrave, i organeve…?

Edi Rama: Kjo është e neveritshme! E neveritshme. Nuk ka pasur kurrë raport, askund, që të thotë se një e treta e ekonomisë shqiptare është e prekur prej trafikut të qenieve njerëzore apo drogës.

Audrey Tilve: Çfarë thoni ju atëherë, cilat janë shifrat tuaja? E mohoni faktin që ekziston një trafik ilegal i drogës, armëve apo i grave në Shqipëri?

Edi Rama: E refuzoj kategorikisht këtë dhe mund t’iu them se është tërësisht e pavërtetë, sikurse edhe e padrejtë të flitet për trafik armësh në Shqipëri.

Audrey Tilve: Pra, nuk ka probleme me krimin në Shqipëri? Gjithçka shkon mirë?

Edi Rama: Pse duhet të shkojmë nga njëri ekstrem, në tjetrin. Nuk e kuptoj këtë. Pse duhet të themi s’ka asnjë problem, apo që krimi është i shtrirë kudo? Pse? A ka një pyetje më racionale për këtë? Apo është diçka interesante nga ana gazetareske që t’i thoni të tilla histori? Ju e përshkruani Shqipërinë si të ishte shtëpia e djallit në Europë. Por kjo nuk është aspak e vërtetë.

Audrey Tilve: Nuk është kjo ajo që thashë unë.

Edi Rama: Shqipëria është një vend që ndryshon përditë. Me probleme dhe me një të kaluar shumë, por shumë të vështirë. Ndoshta më të vështirën nga të gjitha vendet ish-komuniste, sepse ne ishim të mbyllur jo vetëm ndaj Europës Lindore, por edhe asaj Perëndimore për 50 vite. Kështu që, ajo çfarë kemi bërë në këto 25 vite është një mrekulli e vërtetë, duke ditur se nga erdhëm.

Audrey Tilve: Le të ndryshojmë bisedë. Të flasim për ekonominë, që ju po përpiqeni ta zhvilloni dhe ta nxisni të përparojë. Investimet e huaja po rriten, megjithatë vendi prodhon shumë pak dhe importon shumë të mira. Cili sektor ka një potencial të madh për të ardhmen?
 
Edi Rama: Po, Shqipëria është e pasur me burime natyrore, përfshi naftën, gazin dhe mineralet. Industria e turizmit në Shqipëri ka një potencial të jashtëzakonshëm. Ne mund të zhvillojmë një sektor tepër konkurrues agrikulturor, në mënyrë që të prodhojmë mjaftueshëm për kërkesat tona. Por kemi bërë shumë edhe në sektorin e energjisë. Mbi të gjitha, kemi një krah pune shumë të lirë, që na ka ndihmuar të zhvillojmë edhe industrinë tonë prodhuese. Pikërisht në këto fusha po fokusohemi për të ngritur një model të ri biznesi dhe duket se po funksionon.

Audrey Tilve: Le të përqëndrohemi pak në këndvështrimin personal. Përpara se t’i hynit politikës ju keni qenë një artist, më saktë një piktor. Nëse shihni pas, a ju vjen keq që keni lënë botën e artit?

Edi Rama: Personalisht nuk ndiej keqardhje për asgjë. Kam pasur plane të tjera, por ja ku jemi tani. Unë jam këtu përballë jush. Madje kam marrë përsipër përgjegjësinë e madhe për të udhëhequr vendin tim. Ky është privilegji dhe nderi më i madh që dikush mund të ketë. Sigurisht që për këtë më është dashur të lë pas dore punën time si artist. Gjithsesi unë jam artist dhe kryeministër njëkohësisht. Edhe gjatë takimeve të mia unë pikturoj, sikurse edhe gjatë telefonatave. Kjo më ndihmon të përqëndrohem gjatë tyre. Megjithatë (qesh) siç e shihni nuk pikturoj gjatë intervistave, kështu që jo gjithmonë gjërat ecin në mënyrë perfekte.

Audrey Tilve: Faleminderit Edi Rama.

Top Channel