Berisha: Balili dhe përgjimi, skandalet e Ramës; Rama: Do ta votosh reformën?

19/05/2016 00:00

Rasti i Klement Balilit dhe ai i pajisjes së përgjimit kanë qenë në fokus të fjalimit të ish-kryeministrit Berisha në Parlament, i cili ka akuzuar direkt kryeministrin Rama si përgjegjësin kryesor të këtyre skandaleve.

“Rama e ka zhytur vendin në skandale. Deklarata e Europolit demantoi deklaratat e Tahirit dhe Çakos. Këta i thanë Balilit ik nga Shqipëria, e përcollën. Çështja e balilit është çështje që i përket Ballkanit dhe Europës”, ka thënë Berisha.

Duke iu referuar deklaratave politike, Berisha ka thënë se, “në mënyrë absolute nuk mbroj LSI, kur mbrojtjen totale Balilit ia jep Edi Rama”.

“Hekurat për ata që s’kanë të paguajnë, për ata që ndërtojnë çati për fëmijët, janë tipike të Ediskobarit dhe jo të LSI-së”, ka vijuar Berisha. “Je bërë shefi i grupit më të madh të drogës në Shqipëri”, i ka thënë ai kryeministrit Rama.

Më pas, ish-kryeministri i është referuar një “skandali të përmasave të jashtëzakonshme”, siç e ka quajtur ai atë të pajisjes së përgjimit.

“Pajisje përgjimi kanë hyrë në Shqipëri më parë, por janë përdorur me lejen e prokurorit të përgjithshëm”, ka thënë ish-kryetari i PD, i cili i ka kërkuar Ramës “dorëzo pajisjen e përgjimit”.

Nga ana e tij, kryeministri i është përgjigjur parardhësit të tij duke e akuzuar se po pengon reformën në drejtësi.

“Sali, më shiko në sy dhe më thuaj, a do ta lejosh apo jo reformën në drejtësi? Pse nuk thua asnjë fjalë për të? Pse PD nuk është në komision për të votuar draftin e Venecias”, ka thënë Rama.

Por kjo, sipas tij, “është një pyetje retorike”. “Mjafton të shohësh në gjykatë për murin e betonit, për të cilin u dha leja nga kryetari i partisë tënde, për të parë përse ti je i pari më i painteresuar që gjyqtarët dhe prokurorët të mos kalojnë nën kontroll. Si mund ta pranosh ti këtë kur ke nxitur, mbështetur dhe mban në këmbë sot një sistem të korruptuar që bën shërbime për ty personalisht dhe për njerëzit e tu?”, ka thënë Rama.

Ai është shprehur se ky rast është një turp i pashoq.

“Një gjykatë e kapur me presh në duar që refuzon të zbatojë më minimalen, të marrë në konsideratë konfliktin e interesit dhe të krijojë trupën për të gjykuar turpin më të pashembullt që në historinë e Bashkisë së Tiranës një kryetar ka guxuar të bëjë: të ndërtojë në digën e liqenit një ndërtim që kërcënon jo vetëm parkun, por njerëzit e një lagjeje të tërë dhe është konsideruar i rrezikshëm nga një komitet i tërë specialistësh”, ka vijuar Rama.

Duke akuzuar opozitën se angazhoi presidentin, “që e keni kthyer në një kryetar komplementar të PD”, për të marrë në mbrojtje trupën më të korruptuar që mund të përfytyrohet, Rama ka shtuar se, “po të mos kishte protestuar kryetari i bashkisë, sot gjykata do e kishte firmosur vendimin me trupën në konflikt të pastër interesi”.

Më tej Rama u është përgjigjur edhe akuzave ndaj tij sa i takon trafikut të drogës, duke treguar një dokument të Europolit, që sipas tij tregon të kundërtën e pretendimeve të Berishës.

“Ulu dhe lexoje, Sali. Kur prokuroria të mbarojë hetimin edhe për mjetin e përgjimit, në mënyrë të kundërt do ta lexosh të vërtetën”, ka thënë ai.

Top Channel