PD “zeron” reformën, del me draft të ri

18/05/2016 00:00

Në kulmin e debatit për përgjimet, një tjetër zhvillim i papritur vjen sërish nga opozita, e cila e ka kthyer reformën në drejtësi në pikën zero.

Demokratët, pasi ndryshojnë përfaqësimin në Komision, paraqesin një draft të ri të ndryshëm nga ai i rënë dakort me ndërkombëtarët dhe me maxhorancen. Ndër të tjera kërkohet shkrirja e 4, nga 11 institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, që ngrihen me reformën.

Platforma e opozitës ka në themel thjeshtimin e arkitekturës sistemit dhe eleminimin e disa institucioneve, mes të cilëve edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

“Po shkojmë me një draft për atë çfarë na kërkohet nga Venecia, nga ndërkombëtarët; zgjidhje politike për strukturën e sistemit. Arkitektura e sistemit mund dhe duhet të thjeshtohet për t’i shërbyer sistemit, për t’u shërbyer qytetarëve”, deklaroi këtë të mërkurë, Lulzim Basha.

Kreu i opozitës thotë se ky qëndrim i demokratëve është në përputhje me kërkesat e Komisionit të Venecias.

“Venecia është ajo që ka thënë e para që sistemi është tepër i komplikuar dhe që duke qenë kaq i komplikuar kemi dyshime që mund të qëndrojë në këmbë dhe që Shqipëria ka kapacitetet për ta mbajtur në këmbë. Pas kësaj, takoi Fatmir Xhafajn dhe Fatmir Xhafaj i siguroi që në Shqipëri ka mjaftueshëm njerëz që sistemi të qëndrojë në këmbë dhe ne jemi të përgatitur të pranojmë një sistem të tillë nëse palët bien dakort”, vijoi Basha.

Maxhoranca ka një qëndrim të prerë sa herë që flitet për arkitekturën e reformës.

“Nuk ka patur dhe nuk do të ketë negocim jashtë kornizës së Venecias! Nuk ka patur dhe nuk do të ketë negocim jashtë projektit kushtetues të përgatitur nga ekspertët ndërkombëtarë”, deklaroi kreu i Komisionit të Reformës, Fatmir Xhafaj.

A mund të negociojë maxhoranca? Sipas Xhafaj e rëndësishme është që të mos ketë një draft paralel.

“Çdo përpjekje tjetër për t’i ikur kësaj qasjeje nuk do të ishte gjë tjetër veçse një përpjekje për të penguar reformën në drejtësi. Padyshim do të ishte e papranueshme dhe do ta kthente procesin në pikën zero, gjë që nuk do të kishte mbështetjen tonë”, sqaron ai.

Top Channel