Minxhozi: Afera e përgjimeve, dramë politike

18/05/2016 00:00

Për të komentuar zhvillimet e fundit në vend, që kanë kulmuar me pajisjen e përgjimit, në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë i ftuar analisti Skënder Minxhozi, i cili u është përgjigjur pyetjeve të gazetarit Ilir Paço.

Ilir Paço: Zoti Minxhozi, mirëmbrëma. Çfarë mund të kuptojë një shikues i thjeshtë nga seanca për përgjimet në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare? A ka dalë e vërteta?

Skënder Minxhozi: E vërteta në Parlament rëndom s’ka dalë ndonjëherë. Ka një shprehje, nëse do ta ngatërrosh një çështje krijo një komision parlamentar. Kur flitet për Shqipërinë, Kuvendi ka qenë shpesh vendi i mjegullimit të çështjeve dhe jo i zbulimit. Këtu është bërë një debat politik dhe tashmë është konsumuar me fajtorë e viktima, ende pa dalë detajet e kësaj historie të errët, sikurse janë të gjitha aferat ku përfshihen shërbimet sekrete. Nuk dimë çfarë ka bërë kjo pajisje, nga kush është përdorur, ç’aksesorë teknikë ka pasur. A janë përgjuar celularët? Si ka ardhur kjo pajisje? Sa i përfshirë është një shërbim dhe një vend partner në këtë? Të gjitha këto ne nuk i dimë. Personi në epiqendër të kësaj, prokurori i përgjithshëm, u shpreh se këtu ka një hetim që vazhdon. Ndërkohë, ka një javë që për këtë çështje po akuzohet njëra palë dhe po viktimizohet pala tjetër. Këtu jemi në rastin klasik ku opozita, me pak substancë, ka krijuar një dramë të madhe dhe mazhoranca ka rënë në këtë kurth propagandistik dhe po e ndjek atë.

Ilir Paço: Këtu vihet në pikëpyetje besueshmëria e institucioneve si Qeveria, Presidenca, SHISH. Kush del më i dëmtuar nga kjo aferë?

Skënder Minxhozi: Ky konstatim është mjaft i drejtë. Nëse marrim për shembull prokurorinë, unë nuk e kuptoj përse një rast edhe më i rëndë se ky, i konsumuar nga Ministria e Mbrojtjes vite më parë, nuk shkoi në hetim dhe nuk shkoi drejt zgjidhjes. Janë blerë pajisje, janë bërë përgjime, por ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur. Edhe kur dëgjojmë deklaratat e shefit të SHISH se, është një pajisje që mund të dëmtojë sigurinë kombëtare, por jo e mjaftueshme për të vënë në dijeni eprorin e tij, kryeministrin… Pra, brenda kësaj përgjigjeje kontradiktore qëndron thelbi i pyetjes tuaj. Edhe shefi i SHISH e uli piacën e kësaj afere sepse kuptuam se ishte një dyshim i pakonfirmuar, i një natyre që nuk meritonte të vinte në dijeni kreun e qeverisë. Ky është një debat politik, por që kur konsumohet me dëmtimin e marrëdhënieve me shërbimet e vendet partnere ka një kosto më të madhe sesa një sharje respektive palësh në një komision parlamentar.

Top Channel