Llalla konfirmon hetimet; pajisja hyri nga porti, u regjistrua vetëm makina

18/05/2016 00:00

Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla jo vetëm që konfirmoi nisjen e hetimeve për çështjen e përgjimeve që në datën 13 maj, por shpjegoi se janë kryer një sërë hetimesh dhe shpejt priten rezultatet e para.

“Hetimi do t’i zbardhë të gjitha këto rrethana, nëse kjo pajisje është futur në rrugë ligjore dhe shfrytëzohet, këto janë probleme, konkluzionet e të cilave do të dalin së shpejti. Prokuroria e Krimeve të Rënda janë të angazhuara për t’i dhënë zgjidhje këtij rasti, për të cilin ka interes i gjithë vendi”, deklaroi Llalla.

Ajo që prokurori tha në komision u bë publike që të martën, kur prokuroria thirri të dëshmojë për këtë çështje nëndrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardian Çipa, ndërsa të mërkurën tre zyrtarë të tjerë të lartë, sipas linjës vertikale të drejtimit të Policisë së Shtetit.

Burime të sigurta policore bëjnë të ditur se të gjithë zyrtarët kanë pothuajse të njëjtin qëndrim në shpjegimet e tyre, pajisja nuk mund të përgjojë dhe se ndodhet në Shqipëri për arsye trajnimi.

Fakti pse nuk është regjistruar në doganë ka shpjegim ligjor, sipas përfaqësuesve të Policisë së Shtetit. Në dëshmite e tyre thuhet se automjeti me të cilin ajo erdhi është regjistruar në doganën portuale, por pajisja jo.

Kjo, për arsye se ajo do të ishte tranzit, vetëm për disa javë në Shqipëri. Nga ana tjetër, askush nuk mund të përcaktojë vlerën reale të saj, për të bërë deklarimin në doganë. Sipas zyrtarëve të policisë, prokuroria nuk është lajmëruar se kjo pajisje nuk është përgjimi.

E gjithë kupola e policisë përjashton kategorikisht përgjimin nga policia shqiptare në të gjithë aktivitetin e saj, përfshirë këtu edhe për pajisjen në fjalë. Në pyetje do të merren me radhë edhe të gjithë ekspertët e policisë që morën pjesë në këtë trajnim.

Këto deklarata ishin pak a shumë edhe në sintoni me atë çfarë drejtori i përgjithshem Haki Çako tha në komisionin e sigurisë. “Absolutisht. S’ka pasur s’ka dhe s’do të ketë Policia e Shtetit pajisje të përgjimit në telekomunikacion”, tha Çako.

Në të njëjtat linja foli dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. “Nuk ka pasur nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pajisje përgjimi. Policia e Shtetit po bën të gjitha përpjekjet e saj për të reformuar sektorin e sigurisë dhe mbi të gjitha për t’i dhënë qytetarëve të saj një standard të ri sigurie”, tha Tahiri.

Ai u shpreh shumë i gatshëm të pres përgjigjen e prokurorisë në lidhje mbi këtë çështje, ndërsa kam vënë në dispozicion gjithçka për hetimin e Prokurorisë.

“Ka një program trajnimesh për të përgatitur efektivët e policisë dhe eksperienca me partnerët ndërkombëtarë është ndihma më e madhe që mund të na japin”, tha me tej Tahiri.

Top Channel