Basha: Përgjimet? Të largohet Tahiri për t’u hetuar

18/05/2016 00:00

Partia Demokratike e ka të qartë, që të hetohet me hollësi ekzistenca e pajisjes së përgjimit dhe nëse ajo është përdorur apo jo duhet që më parë të plotësohet një kusht.

“Kërkojmë transparencë nga ministri i Brendshëm, policia dhe kryeministri. Por ata duan mjegull. Largimi i Tahirit është parakusht për hetimin e këtij skandali”, deklaroi Lulzim Basha në përfundim të mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar demokrat.

Deklarata e shefit të opozitës u bë në një kohë kur në Komisionin e Sigurisë, drejtuar nga nënkryetari Flamur Noka, po raportonin me radhë kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika, kryeprokurori Adriatik Llalla dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror tha se pajisja ekziston, se nuk ishte në dijeni që ajo është përdorur dhe se për këtë i ka përcjellë informacion kryeprokurorit Llalla dhe Presidentit të Republikës, por jo kryeministrit.

Ndërkohë, kryeprokurori Llalla konfirmoi në komision nisjen e hetimeve për këtë, ndërsa ministri Tahiri tha se pajisja është pjesë e trajnimit të policisë që e ka të pamundur teknikisht të përgjojë.

Top Channel