PD, platformë për garantimin e zgjedhjeve demokratike

17/05/2016 21:55

Partia Demokratike ka prezantuar këtë të martë një platformë për garantimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, në procesin e ardhshëm elektoral.

“Zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë vazhdimisht një çështje problematike, me rëndësi themelore politike për konsolidimin e demokracisë dhe janë element thelbësor i kriterit politik për antarësimin në BE”, thuhet në një deklaratë për mediat.

Në të theksohet se, zhvillimi i zgjedhjeve me standarte të larta ishte pjesë kryesore e prioriteteve që duheshin përmbushur nga Shqipëria në kuadër të marrjes së statusit të Vendit Kandidat.

“Plotësimi i këtij kriteri në vitin 2013 hapi rrugën për propozimin e Komisionit Europian në tetor 2013 dhe marrjen e statusit në vitin 2014”, vijon deklarata e PD.

Por përkeqësimi, sipas saj, dramatik i standardeve në vitin 2015 e kthen çështjen e zgjedhjeve në prioritet politik themelor.

“Partia Demokratike e pozicionon këtë reformë në krye të reformave bashkarisht dhe në të njëjtin nivel me reformën në drejtësi. Faktori ndërkombëtar është i interesuar për monitorimin e procesit të reformës zgjedhore, zbatimin e ligjit nga autoritetet shtetërore dhe vëzhgimin e zgjedhjeve të viti 2017”, thuhet në qëndrimin e PD.

Problemet kryesore që sipas PD kërkojnë zgjidhje urgjente janë:

Reforma territoriale;

korrupsioni politik;

kriminalizimi i procesit zgjedhor dhe kandidaturave;

dështimi i sistemit të adresave;

kapja e institucioneve të pavarura;

kapja e medias;

kontrolli mbi administratën;

njëanshmëria ose mosveprimi i institucioneve.

Top Channel