Meta takohet me kreun e Komisionit të Jashtëm të Kongresit

17/05/2016 00:00

Gjatë takimeve të tij në Kongresin dhe në Senatin Amerikan, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta u prit në takime të veçanta nga Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, kongresmeni Ed Royce si dhe nga Senatori John Cornyn.

Gjatë këtyre takimeve Meta diskutoi mbi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve trans-atlantike, sfidat globale të terrorizmit dhe situata e sigurisë që është krijuar si pasojë e krizës migratore të refugjatëve nga vende në konflikt.
 
Kongresmeni Royce dhe Senatori Cornyn vlerësuan Shqipërinë si një aleat solid i SHBA dhe evidentuan rolin konstruktiv të vendit tonë në rajonin e Ballkanit, si një faktor stabiliteti, sigurie dhe paqeje.

Në këtë drejtim, u vlerësua edhe mbajtja e punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë gjatë javës që vjen, si një forum tepër i rëndësishëm ku aleatët do të diskutojnë mbi sfidat aktuale të sigurisë me të cilat po përballen vendet e Aleancës.

Meta shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj të gjitha zhvillimeve demokratike në Shqipëri.

Top Channel