Majko “presidencial”, takon Bashën në kulmin e konfliktit politik

17/05/2016 00:00

Në rolin e kryetarit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Pandeli Majko ia ka dalë të shfaqet si faktor që bashkon kundërshtarët politikë.

Shembullin e ka dhënë vetë me një ftesë që i bëri kryetarit të opozitës, Lulzim Basha. Ata kanë biseduar për rreth 40 minuta në një vend publik, pak metra larg Kryeministrisë dhe tema ishte NATO.

“Respektoj zotin Majko për kontributin e tij ndër vite dhe shpresoj që komunikimi politik normal edhe kur qëndrimet janë krejt të kundërta të mos përbëjë një lajm në Shqipëri”, tha Basha.

Për aktualitetin politik, Pandeli Majko dhe Lulzim Basha nuk dhanë detaje dhe u fokusuan sërish tek ngjarja e pas 10 ditëve.

“Më ka ftuar dhe do të shikojmë nëse do të kemi mundësinë për rakordim të axhendave sepse kam edhe një axhendë politike me PPE-në.

Do ta gjejë apo jo Basha kohën për të shkuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, kjo pak rëndësi ka. Tani rëndësi ka ftesa e Majkos, një ftesë e guximshme, që duket se më shumë sesa me axhendën e NATO-s, ka lidhje me axhendën e brendshme politike, kur pas disa muajsh vendoset se kush do të jetë Presidenti i ardhshëm.  

Top Channel