Dëshmi VIP për “përgjimet”

17/05/2016 11:45

Komisioni Parlamentar i Sigurisë miratoi unanimisht thirrjen në seancë dëgjimore për të dëshmuar ministri Tahiri, prokurori i Përgjithshëm Llalla, kryepolici Çako dhe kreu i SHISH-t Visho Ajazi Lika, lidhur me pajisjen që disponon policia, e cila sipas opozitës është përdorur për të përgjuar zyrtarë, ambasadorë e gazetarë.

“Pajisja kushton 800 mijë euro, përpos faktit që është futu në kundërshtim me ligjet e vendit, ka një element tjetër plus që nuk e kanë pajisjet e tjera zyrtare të përgjimit, të përgjon edhe me telefon fikur”, tha nënkryetari i Komisionit, Flamur Noka.

Por në studion e Top Story-t, ministri Tahiri shpjegoi se pajisja në fjalë nuk ka mundësi teknike për të përgjuar. Përballë gazetarit Sokol Basha, Tahiri tha gjithashtu se kjo pajisje është pjesë e trajnimit me italianët që në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Bujar Nishani, sot kreu i shtetit.

“Kjo pajisje, edhe sikur të duash nuk të ofron mundësinë teknike që të përgjosh qoftë bisedë, qoftë mesazhe apo çdolloj komunikimi tjetër nëpërmjet telefonit. Kjo vetëm pasqyron numrat në një zonë të caktuar. Është një pajisje që është përdorur edhe para se të bëhesha unë ministër. Është pjesë e një marrëveshjeje të firmosur nga ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani”, tha Tahiri.

Ndërkohë depueteti i LSI-së,  Luan Rama do ta cilësonte një skandal të një niveli tjetër përfshirjen e misionit Interforce në këtë histori.

“Përfshirja e Interforcës në shkelje të ligjit, prezumoj të mos jetë e vërtetë, por përfshirja i Interfocës në shkelje të ligjit të Shqipërisë, është një ngjarje shumë e rëndë që meriton një trajtim tjetër”, tha Rama.

Nga selia e PD, sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani përsëriti akuzat e opozitës është përgjuar Presidenti i Republikës, ambasadorë, drejtues të medias, gazetarë dhe të tjerë.

Top Channel