Pas miratimit në parim, anëtarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi nisën diskutimet nen për nen, duke miratuar sot edhe kapitullin e parë prej 13 nenesh, për ndryshimet kushtetuese. Por asnjëri prej tyre nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me reformën në drejtësi.

Në 3 orët e mbledhjes me dyer të mbyllura, komisioni i reformës zgjedhore miratoi me konsensus kapitullin e parë të draftit me ndryshimet kushtetuese. Ato janë 13 nene, por asnjëra nuk ka të bëjë me reformën në drejtësi.

Megjithatë, jo gjithçka ka shkuar me mirëkuptim. Mbledhja u ndërpre disa minuta, pasi anëtarët e mazhorancës, me votën e dyfishtë të kryetarit Fatmir Xhafaj, miratuan një ndryshim në nenin që pengon personat me rekorde kriminale të kandidojnë në zgjedhje. Ndryshimi vendos kufizim kohor, gjë e cila, për opozitën, ishte e papranueshme.

“Futja e këtij neni në axhendën e komisionit të reformës në drejtësi ishte një aktivitet dhe atentat që kërkohej t’i bëhej reformës në drejtësi dhe amendamenti u tërhoq nga OPDAT-i”, u shpreh deputeti demokrat Eduard Halimi.

Socialistët nuk bënë komente pas mbledhjes, ndërsa demokratët i sfiduan ta çojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Kush nuk është dakord me ligjin e dekriminalizimit, siç ka deklaruar edhe Rama në Parlament, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, të bëjë një shoqatë me të gjithë personat me rekorde të tmerrshme kriminale që pretendojnë se i janë prekur të drejtat dhe të shkojnë deri në Hënë po deshën. Ai ligj dhe ajo paketë nuk preket”, shtoi Halimi.

Top Channel