Nis punën Komisioni Hetimor i shitjes së OSSH-së

26/04/2016 00:00

Komisioni Hetimor Parlamentar për Privatizmin e OSSH nga ana e CEZ, nisi nga puna pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët i janë nënshtruar një bojkoti 10-ditorë.

Kryetari i komisionit, socialisti Taulant Balla tha se objekt hetimi do të jetë kontrata e shitjes së 76 perqind të aksioneve në 2009 dhe procedurat e ndjekura për zbatimin e kësaj kontrate.

Hetimi është kërkuar nga maxhoranca dhe si bazë ka një raport auditi të Ministrisë së Energjisë të bërë vitin që shkoi. Ai ka dalë në rezultatin se privatizimi i OSSH i ka sjellë Shqipërisë një dëm prej 414 milionë euro.

Balla tha se për të dëshmuar do thirren personat që kanë patur vendimarrjen për privatizimin duke përfshirë edhe ish-Kryeministrin  Berisha.

“Personat që kanë kryer këto vendime të paligjshme do të ftohen të dëshmojnë përpara këtij komisioni, përfshirë këtu kryeministrin e asaj kohe, Sali Berisha, ministrat e asaj kohe, drejtuesit e ERE-s, drejtuesit e shoqërisë”, tha Balla.

Paralelisht është edhe Prokuroria e Përgjithshme që po heton në lidhje me raportin e auditit të Ministrisë së Energjise. Nderkohe ne planin e hetimit te komisionit qe nuk eshte miratuar ende, pritet te shtohen edhe kerkesat e opozites.

Top Channel