Agjentët e kufirit në San Diego kanë konfiskuar një sasi të konsiderueshme kokainë dhe marijuane, e transportuar në atë që mendohet të jetë tuneli më i gjatë i zbuluar ndonjë herë në kufirin SHBA-Meksikë.
I gjatë mbi 730 metra, i lartë deri në 3 dhe i gjerë thuajse sa gjysma, tuneli kishte hekurudhën e tij, sistem ventilimi, ndriçimi, si dhe një ashensor që të nxirrte brenda një shtëpie në Tihuana.
Ndërsa dalja në anën amerikane të kufirit ishte në një godinë tregtare në parkun industrial Otai Mesa, rreth 450 metra në veri të vijës kufitare.
Autoritetet konfiskuan më shumë se 1 ton kokainë, që sipas tyre është sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në një tunel në pjesën jugore të Kalifornisë, ndërsa marijuana e bllokuar arrinte deri në 6 tonelata.
Gjashtë persona u arrestuan në sandiego lidhur me drogën e sekuestruar, ndaj të cilëve janë ngritur një seri akuzash që lidhen me narkotrafikun.
Hunter Davis, drejtor i Operacioneve Ajrore për Mbrojtjen e Kufirit dhe Doganave, deklaroi: “Ky është një rast i mirë për të mos harruar cënueshmërinë në kufirin jug-perëndimor”.
“Organizatat e trafikut të drogës vazhdojnë të vënë në rrezik sigurinë tonë kombëtare vetëm për të përfituar”, deklaroi Davis. Ky është tuneli i 13 i përmasave të mëdha për trafikun e drogës i zbuluar në kufirin kalifornian që prej vitit 2006.
Top Channel