Kontrolli i qenve të rrugës, vaksinohen “rrugaçët”. Kërcënim edhe qentë me pronarë

03/04/2016 00:00

Gjatë dy muajve të fundit, klinika veterinare në Kombinat, nën varësinë e Bashkisë së Tiranës, ka nisur fushatën e trajtimit të kafshëve endacakë, me qëllim uljen e rrezikut të përhapjes së sëmundjeve dhe infeksioneve.

Gjatë kësaj periudhe janë trajtuar gjithsej 320 kafshë, të cilat më pas janë lënë të lira. Në kryeqytet, zonat më problematike të ngarkuara më shumë me kafshët e rrugës, sipas të dhënave nga bashkia janë Qendra Spitalore “Nënë Tereza”, Parku i Liqenit, Sheshi “Avni Rustemi”, zona e Pazarit të Ri, Lapraka, Unaza e Re dhe Don Bosko.

Procesi i trajtimit të kafshëve endacake nis me grumbullimin, vaksinimin dhe sterilizimin që zgjat deri në 5 ditë, përpara se kafshët të lihen sërish të lira. Rrallimi i këtyre kafshëve sipas kreut të Bashkisë së Tiranës, mund të bëhet edhe me përkrahjen e qytetarëve.

“Shumë njerëz që nuk i njohin kafshët e rrugës dhe mendojnë se janë të rrezikshme, ndërkohë që në pjesën më të madhe, ashtu siç e thanë dhe veterinerët, kafshët janë vetëm të frikësuara. Ne besojmë se në një qytet si Tirana ka vend për të gjithë, ka vend edhe për njerëzit, edhe për kafshët”, deklaroi Veliaj.

Por kafshët endacake nuk janë të vetmet që mund të përbëjnë një rrezik në komunitet. Edhe kafshët shtëpiake, kryesisht qentë e disa racave, shpesh herë kanë shkaktuar incidente në ambiente publike si parqet apo lulishtet.

Një problem i tillë nuk ka marrë asnjëherë zgjidhje ndërsa një pjesë e mirë e problemit qëndron tek vetë qytetarët, që ekspozojnë kafshët e tyre në ambiente publike pa maskat apo mjetet e tjera mbrojtëse.

Top Channel