Refugjatët, në pritje të samitit: E tmerrshme të na kthejnë mbrapsht

17/03/2016 00:00

Në vorbullën e përpjekjeve, për t’i gjetur një zgjidhje krizës që ka tronditur nga themelet Bashkimin Europian, energjitë janë fokusuar te marrëveshja me Turqinë, si e vetmja mundësi për të frenuar fluksin e pashtershëm të emigantëve drejt Europës.

Megjithatë, pakkujt i ka shkuar në mendje të pyesë, sesi do të reagonin vet azilkërkuesit ndaj një plani të tillë. Dhe ky nuk është problem i vogël. Në kampet anembanë Greqisë, emigrantët presin në ankth lajme për rezultatet e samitit BE-Turqi.

Ideja se mund t’i kthejnë mbrapsht i tmerron të gjithë. “Kur dëgjuam për herë të parë se çfarë do të thoshte një marrëveshje e BE-së me Ankaranë, e gjithë familja ime nisi të qajë. Ishte gjëja më e keqe që na kanë dëgjuar veshët pas largimit nga Iraku. Për ne ishte gati e pabesueshme, – i tha “Deutsche Welle”-s një 26-vjeçar i identifikuar thjesht si Salim.

Ai dhe 29 pjesëtarët e familjes së tij të madhe qëndrojnë aktualisht në kampin e Retsonas, e presin me sytë nga Brukseli vulosjen e fatit të tyre. Që të gjithë i përkasin minoritetit Yazidi e vijnë nga qyteti i Sinjarit, i pushtuar në 2014-n nga militantët e Shtetit Islamik.

Ashtu si shumë refugjatë, Salimi shprehet se për ta, jetesa në Turqi është e pamundur. “Turqit nuk ndihmojnë, sepse nuk duan të ndihmojnë”, thotë 26-vjeçari. Jeta e përditshme si refugjat në Stamboll ka qenë për të përballje me mospërfilljen, egërsinë dhe korrupsionin e autoriteteve turke. “Arsyeja e vetme pse arritëm të marrim nga brigjet turke një varkë për në Greqi është se, një polic pranoi 500 dollarë ryshfet që të na linte të kalonim”, rrëfen ai.

Të njëjtën gjuhë përdor dhe Chalid, një sirian kurd që udhëton me të shoqen dhe 4 fëmijët. “Kur je në Irak apo Siri rrezikon të vdesësh një herë. Në Turqi ti kalon 1.000 vdekje të ngadalta. Do të preferoja më mirë të vdisja, sesa të kthehesha mbrapsht atje”, thotë i dëshpëruar refugjati.

Top Channel