Vazhdon tensioni në Bruksel, siguri e lartë në qytet

16/03/2016 09:00

Brukseli vazhdon që të jetë në gjendje gatishmërie të lartë pas një operacioni antiterror që kishte lidhje me sulmet terroriste të nëntorit në Paris. Të paktën dy persona janë në arrati dhe po kërkohen nga policia, ndërsa një i tretë u vra nga forcat e rendit.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, katër oficerë policie u plagosën, por që të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën. Mediat belge raportojnë se policia po zhvillonte një operacion që kishte lidhje me sulmet e Parisit, ku u vranë 130 njerëz. Në këtë operacion merrte pjesë edhe policia franceze dhe një prej të plagosurve nga radhët e forcave të sigurisë është francez.

Zyra e Prokurorit Federal në Bruksel bëri me dije se forcat e sigurisë shkuan për të kontrolluar një apartament, kur u përballën me rezistencën e armatosur të njerëzve që ishin brenda tij. Dy mundën t’ia mbathin, ndërsa një i tretë, i armatosur me kallashnikov, u vra nga policia. Viktima nuk është identifikuar ende, por autoritetet belge konfirmuan se nuk bëhet fjalë për Salah Abdeslam, një prej dy të dushuarve ende në arrati nga sulmet e Parisit.

Më herët, policitë e dy vendeve deklaruan se nuk ishte ai objektivi i operacionit. Mediat raportojnë se prania policore është shumë e madhe dhe siguria është e lartë në Bruksel, diçka që ka trembur jo pak banorët, edhe për vetë faktin se detajet nga operacioni janë të pakta.

Policia nuk ka identifikuar ende dy të dyshuarit në arrati dhe kjo ka shtuar edhe më shumë frikën mes njerëzve, pasi nuk dinë nga kush të ruhen.

Top Channel