Irani kërcënon me internetin, nëse pret kabllot nënujorë në Hormuz, pasoja të rënda edhe në Europë
Presidenti amerikan, Barack Obama ka nominuar gjykatësin veteran të Gjykatës së Apelit, Merrick Garland, për t’u bërë pjesëtar i Gjykatës Supreme të Drejtësisë amerikane.
Këtë gjë e bëri të ditur vet kreu i Shtëpisë së Bardhë gjatë një konference për shtyp gjatë mesditës së të mërkurës me orën lokale.
Vendi vakant në këtë gjykatë u krijua pas vdekjes së gjykatësit Antonin Scalia muajin e kaluar, në moshën 79-vjeçare.
Gjykatësi Garland, 63 vjeç, është aktualisht kreu i Gjykatës së Apelit të Uashingtonit, si dhe një ish-prokuror.
Megjithatë, shumica republikane e Senatit ka bërë të ditur se do të bllokojë çdo votim të kandidaturës për Gjykatën Supreme, për sa kohë që ajo vjen nga Presidenti Obama.
Vdekja e Scalias gjatë muajit të kaluar, një konservator i hekurt, la gjykatën 9-anëtarëshe të ndarë në mënyrë të barabartë mes konservatorëve (republikanë) dhe liberalëve (demokratë). Ndarja nga jeta nxit gjithashtu edhe një betejë në një vit elektoral mbi pasuesin e tij, kur dihet që në nëntor SHBA-të do të zgjedhin Presidentin e ri.
Merrick Garland u emërua nga Presidenti demokrat, Bill Clinton në vitin 1997, duke fituar konfirmimin përmes një votimi 76-23, si dhe ka shërbyer në Departamentin e Drejtësisë gjatë administratës “Clinton”, përpara këtij posti.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, tha se “askush nuk është më i përshtatshëm sesa ai, për të shërbyer në Gjykatën Supreme”.
Top Channel