Nigeri, vetëhidhen në erë dy kamikaze, 22 viktima

16/03/2016 00:00

Dy kamikaze kanë hedhur veten në një xhami, në verilindje të qytetit nigerian të Maidugurit, duke lënë të vrarë 22 besimtarë, sipas zyrtarëve të emergjencave.

E para prej tyre aktivizoi eksplozivin brenda xhamisë, ndërkohë që e dyta u vetëhodh në erë jashtë teksa të mbijetuarit e shpërthimit të parë po përpiqeshin të largoheshin.

Plot 17 të tjerë raportohen të plagosur nga ky sulm i dyfishtë, thotë një zyrtar për agjencinë e lajmeve AFP.

Militantët islamikë të Boko Haramit kanë shënjestruar shpeshherë qytetin gjatë këtyre 7 viteve kryengritje.

“Ishim vetëm pak metra larg xhamisë, kur u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. Ajo që vumë re më tej ishte një shtëllungë e madhe tymi të zi dhe shumë trupa të shtrirë përtokë”, tha një tjetër dëshmitar nga vendngjarja, për “Associated Press”.

Sulmi ndodhi vetëm pak minuta pasi besimtarët nisën lutjet e mëngjesit, tha imami i xhamisë Umarari, në periferinë e qytetit të Maidugurit. Të gjithë të plagosurit, sipas tij, janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Top Channel