Frikë për sulme terroriste, Gjermania paralajmëron shtetasit e saj në Turqi

16/03/2016 00:00

Me argumentin se kryeqyteti turk mund të bjerë prè e atentateve të tjera të përgjakshme, Ambasada e Gjermanisë në Ankara i këshilloi qytetarët gjermanë atje të largohen sa më shpejt. Bëhet fjalë për sulme që mund të ndodhin tani shpejt.

“Ju lutemi, kthehuni në shtëpi dhe prisni udhëzimet e tjera”, thuhet në njoftimin e misionit diplomatik. Më herët, shtetasit gjermanë ishin paralajmëruar nga Ministria e Jashtme të mos udhëtojnë drejt Turqisë, ndërsa ata që ndodhen në këtë vend, duhet të bëjnë kujdes e të shmangin zonat me grumbullim të madh njerëzish.

Ka disa paralajmërime konkrete për atentate dhe, në mesin e shënjestrave të mundshme të sulmeve, përmenden edhe qendrat tregtare. Qeveria turke bëri përgjegjës kurdët për shpërthimin e së dielës në Ankara, ku u vranë 37 vetë.

Atentatorja vetëvrasëse u identifikua. Ajo ishte lindur në vitin 1992 në Turqinë Lindore dhe ishte pjesë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit që prej 2013-s. Gruaja thuhet të ishte stërvitur në Siri, në degën e atjeshme të PKK-së.

Pas përcjelljes së këtyre informacioneve, policia turke paralajmëroi se PKK-ja është duke planifikuar sulme të tjera terroriste në qytetet më të mëdha të vendit, goditje këto që mund të ndodhin – sipas saj, – nga 20 marsi deri më 30 mars.

Partinë kurde, ekzekutivi turk e akuzoi edhe për atentatin e përpara një muaji po në Ankara, përgjegjësinë e të cilit e pati marrë një fraksion i shkëputur prej saj i njohur si “TAK”, apo “Skifterët e Lirisë së Kurdistanit”.

Top Channel