Breivik padit Norvegjinë për “trajtim çnjerëzor”

15/03/2016 00:00

Ka një kompjuter dhe një PlayStation në qelinë ku mbahet i burgosur, por Anders Behring Breivik ka vendosur të testojë sërish sistemin ligjor norvegjez duke paditur vendin e tij për shkelje të të drejtave të tij.

Autori i masakrës së 2011, ku vrau 77 vetë u shfaq për herë të parë në publik që pas dënimit me 21 vite burgim për masakrën.

Ai nuk tha asnjë fjalë në seancën ku ka vendosur të padisë Norvegjinë për shkelje të të drejtave të njeriut, por është mjaftuar me një përshëndetje naziste në fillim dhe fund të saj.

Në padinë e ngritur kundër Norvegjisë, Breivik e quan veten “viktimë të një trajtimi mizor dhe çnjerëzor” në burgun e Skien, rreth 100 kilometra në jug-perëndim të Oslos. Ai mbahet i izoluar në një bllok të tërë të burgut me një kompjuter dhe një PlayStation për të kaluar kohën.

Ky nuk është pretendimi i parë i 37-vjeçarit. Në të shkuarën ai është ankuar për mungesën e internetit në kompjuterin që ka si dhe për “diskriminim” pasi në qeli nuk kishte versionin e fundit të PlayStation.

Padia e Breivik interpretohet gjerësisht si një test për sistemin ligjor norvegjez dhe mund të rihapë plagët e familjarëve të viktimave, në një vend që është përpjekur fort të harrojë sulmin më vdekjeprurës që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Breivik po merr atë që dëshironte. Adhurohet në qarqet ekstremiste të djathta dhe mund të shpërndajë lehtësisht nga qelia e vet gjuhën e urrejtjes. Megjithatë, jam krenar dhe i lumtur që jetoj në një shtet ligjor që aplikon rregullat njësoj dhe që është maja e demokracisë moderne”, shkruan në rrjetet sociale Viljar Hanssen, njëri prej të mbijetuarave që u godit me katër plumba në çmendurinë e Breivik në ishullin Utoya.

Por ka edhe nga ata që nuk janë dakort me sistemin peniticiar të Norvegjisë, që më shumë sesa ndëshkimi, synon rehabilitimin e autorëve të krimeve.

“Thonë që emancipimi i një shoqërie matet me mënyrën sesi trajton të burgosurit e vet. Ky është sistemi dhe ne do ta lejojmë atë (Breivik) që të përdorë sistemin kundër nesh”, deklaron Dag Andre Anderssen, udhëheqës i një grupi të mbijetuarish nga sulmit.

Më 22 korrik të vitit 2011, një bombë do të shpërthente në Oslo, që do të pasonte pak më vonë vrasjet masive në ishullin e Utoyas, ku shënjestër e Breivik ishin aktivistët e Partisë Laburiste, kryesisht të rinj. 77 persona humbën jetën nga çmenduria e Breivik, që kundërshtonte politikat e ndjekura karshi refugjatëve myslimanë në vendin e tij.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel